Giuntoli: Në Juventus, fitorja nuk është opsion, por detyrim

“Juventusi është një klub që duhet të fitojë. Nuk është synimi i vetëm, por mbetet gjëja më e rëndësishme,” deklaroi Cristiano Giuntoli, duke rishikuar moton e Juventusit dhe duke shprehur ambicie të mëdha për të ardhmen.

Drejtori sportiv i Juventusit dha një intervistë të gjatë për “Corriere della Sera,” ku përshkroi objektivat e klubit bardhezi. Synimi i tij është të rikthejë Juventusin atje ku e meriton, duke balancuar me kujdes edhe aspektet ekonomike dhe financiare.

Një nga idetë që Giuntoli u përpoq të zbatojë gjatë sesionit të fundit të merkatos ishte ruajtja e ekuilibrit financiar, pavarësisht buxhetit të kufizuar. Megjithatë, Juventusi arriti të realizojë disa operacione të mëdha hyrëse. Giuntoli theksoi se nuk ka një metodë specifike për të, por vepron me kujdes dhe zgjuarsi në rregullimin e gjërave:

“Duhej të ulja faturën e pagave dhe moshën mesatare të skuadrës, dhe e arritëm këtë. Ne thjesht duhet të bëjmë llogaritë dhe të kemi një vizion pesëvjeçar.

Sot kemi një nga skuadrat më të reja në kampionat, është projekt i rëndësishëm.”, theksoi Giuntoli. Ai gjithashtu foli mbi skuadrat favorite për titull: “Është ende herët për ta thënë me siguri, por Interi dhe Napoli janë pretendentët kryesorë. Interi i Simone Inzaghit ka skuadrën më të kompletuar, ndërsa te Napoli kombinimi i një merkatoje ambicioze dhe ardhja e Antonio Contes në pankinë premton shumë.”

E çfarë për Juventusin? “Kemi pësuar shumë ndryshime dhe ende nuk e dimë saktësisht se çfarë jemi në gjendje të arrijmë,” u shpreh Giuntoli duke shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë. “Jemi në proces zbulimi, dhe ka kuriozitet për të kuptuar limitet tona si një skuadër e rinovuar.”

Sa i përket Thiago Mottas, Giuntoli vlerësoi punën e tij: “Është e qartë që me Bolognan ai tregoi aftësi të jashtëzakonshme, dhe nuk ishim të vetmit që kishim interes për të. Ishim të vetëdijshëm për situatën dhe vendosëm të mbështesim projektin e tij futbollistik.”

Në lidhje me një plan B për trajnerin, ai shtoi me një notë misterioze: “Nuk do të përmend emra, por është një trajner i huaj që ka punuar dhe vazhdon të punojë në Europë.”

Giuntoli gjithashtu sqaroi situatën e Vlahovic: “Pse u zëvendësua në pjesën e parë? Kjo është pjesë e stilit të Thiago Mottas, asgjë e jashtëzakonshme. Sa i përket rinovimit të tij, nuk është një problem. Ai është një lojtar me potencial të madh dhe rinovimi është një objektiv që do të arrijmë. Një lojtar me vlerë të madhe si ai përfaqëson një pasuri për ne.”

Duke u ndalur te largimi i Chiesa, ai shtoi: “Ne kemi qenë gjithmonë të sinqertë me të dhe shoqëruesit e tij. Së bashku kërkuam zgjidhjen më të mirë për të, dhe i urojmë suksese të mëtejshme.”

Kur u pyet për marrëdhëniet me Allegrin, Giuntoli u shpreh shkurt: “Më falni, nuk dua të flas për këtë.” /Telesport.al/

Read Previous

Piloti i njohur largohet përfundimisht nga Formula 1 pas 258 garash

Read Next

Këshilli Bashkiak i Milanos kërkon heqjen e emrit të Berlusconit nga Aeroporti i Malpensës