Të paktën 40 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, ndërsa qeveria e Izraelit përgatitet të zgjerojë ofensivën ushtarake.
Sipas autoriteteve palestineze, goditjet kanë shënjestruar zona të banuara në kampet e refugjatëve dhe qytete të ndryshme të territorit.
Në mesin e viktimave janë edhe tre foshnje të vrara në kampin Khan Younis, ndërkohë që sulme të tjera kanë ndodhur në qytetin e Gazës, Beit Lahiya dhe kampin Bureij.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se po marrin masa për të “zbutur dëmet ndaj civilëve”, ndërsa akuzojnë Hamasin për përdorimin e popullsisë si mburojë njerëzore – një pretendim që grupi e mohon.
Nga rifillimi i bombardimeve më 18 mars, mbi 2,300 palestinezë janë vrarë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve që nga tetori i vitit të kaluar në mbi 52,000.
Kriza humanitare në Gaza afër kolapsit total
Organizatat humanitare kanë paralajmëruar se situata në Gaza është në prag të një kolapsi të plotë.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se ndihma është e pamjaftueshme dhe përballja me urinë është e pashmangshme nëse nuk ndryshon menjëherë qasja.
“Kjo situatë nuk duhet – dhe nuk mund të lejohet – të përshkallëzohet më tej,” u shpreh Pascal Hundt nga KNKK.
Ndërkohë, nuk ka përparim në negociatat për një marrëveshje të re armëpushimi, ndërsa kryeministri Netanyahu pritet të miratojë një ofensivë të re ushtarake dhe një plan të diskutueshëm për shpërndarjen e ndihmës në jug të Gazës, përmes kontraktorëve privatë – plan që zyrtarët palestinezë e kanë quajtur të “pazbatueshëm dhe joetik”.
Kriza zgjerohet: Izraeli godet edhe në Siri
Përveç Gazës, Izraeli ka nisur një valë të re sulmesh ajrore në Siri, duke goditur objektiva afër pallatit presidencial në Damask. Qeveria siriane ka dënuar këto veprime si “përshkallëzim të rrezikshëm”.
Zyrtarë izraelitë thanë se ndërhyrja synon mbrojtjen e pakicës druze pas përplasjeve sektare në afërsi të Damaskut. Pesë qytetarë sirianë druzë u evakuuan natën për trajtim mjekësor në Izrael. Në të njëjtën kohë, Tel Avivi ka dislokuar trupa në zonën e dikurshme të demilitarizuar në Lartësitë e Golanit.
Rreziku i një përshkallëzimi rajonal
Sirenat e raketave janë dëgjuar për të dytën ditë radhazi në jug të Izraelit, pas një sulmi të pretenduar nga rebelët Huthi të Jemenit, që veprojnë me mbështetjen e Iranit dhe deklarojnë se veprojnë në solidaritet me popullin palestinez.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të bëjë presion ndaj Izraelit për të lehtësuar hyrjen e ndihmës humanitare përpara vizitës së tij të paralajmëruar në Lindjen e Mesme./Top Channel