Gashi: Duhet të ketë ndryshime të kodit penal për të mitur

FOTO: Kallxo.com

Të miturit e moshës 14-18 vjeç po vazhdojnë të përfshihen në vepra të ndryshme të dhunshme si rrahje, aksidente në komunikacion, madje edhe në vrasje e armëmbajtje pa leje.

Avokati Tomë Gashi thotë se të gjitha institucionet duhen të punojnë së bashku në edukimin e fëmijëve, në mënyrë që të parandalohet dhuna në mesin e tyre.

“Dënimi maksimal është i paraparë me 10 vjet burg dhe atë burg për të mitur… Dhe ne besojmë që do të duhej të mos ketë dënime të ashpra të tilla në kuptimin që të miturit nuk do të duhej të kryejnë asnjë vepër penale, posaçërisht kaq të rëndë, por në prizmin tim është paksa e rëndë, por duket se po i imitojnë të rriturit dhe duke pas parasysh çështjen e edukimit të fëmijëve tanë e cila është jashtëzakonisht i nivelit të ulët, shkollimi nuk është adekuat. Janë një mori çështjesh që ndikojnë që të miturit të kriminalizohen, po aq sa edhe të rriturit, duke pasur parasysh që nuk ka kontrolle shpeshta të policisë. Do të duheshin të punonin të gjithë së bashku, shkollat dhe qendrat për punë sociale. Janë çështje të edukimit që duhet të merren me fëmijë të gjitha institucionet dhe më së pakti do të duhej në një situatë ideale të merret policia, prokuroria dhe gjykata,” tha Gashi.

Avokati Gashi shtron nevojën e ndryshimit të kodit penal për të miturit, pasi që vepra penale është e pariparueshme dhe dënimet do të duhej të ishin në proporcion me rrezikshmërinë që ato krijojnë.

“Ky ligj është jashtëzakonisht i vjetruar, kemi më tepër se ndoshta gjysmë shekulli që përdoret ligji i njëjtë apo kodi penal për të mitur…Duhet të ketë ndryshime të kodit penal për të mitur dhe duhet të kemi ndryshime ndoshta të të gjithë legjislacionit, të parashihen dënime krejtësisht të tjera kur dikush kryen një vepër penale me qëllim dhe posaçërisht kur ia merr jetën dikujt duke pretenduar se është i mitur dhe ndoshta nuk do të dënohet dhe aq shumë… Dallimi prej disa viteve apo disa muaj nuk do të duhej të konsiderohej që është një rrethanë jashtëzakonisht lehtësuese për shkak se vepra apo dëmi është i pariparueshëm dhe do të duhej të ishin dënimet në përpjesëtim me rrezikshmërinë që e krijojnë dhe me veprat penale të rënda që dikush eventualisht i kryen,” tha ai. /KosovaPress/

Read Previous

​Shqetësuese dhuna te të miturit, rreth 2 mijë raste për një vit në Kosovë

Read Next

Kurti në takim me ambasadorët e QUINT-it, diskutohet për rregulloren e BQK-së