Galeria Kombëtare e Kosovës shpall programin për vitin 2026

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur programin e Galerisë Kombëtare të Kosovës për vitin 2026, i cili përfshin gjithsej 10 ekspozita me fokus në tema bashkëkohore si gjinia, klasa, migrimi dhe raporti me të kaluarën.

Sipas njoftimit, programi synon të reflektojë mbi politikat shoqërore dhe kulturore që ndikojnë praktikat artistike sot, duke theksuar rolin e institucionit në ndërtimin e narrativave kritike dhe përfshirëse. Viti 2026 shënon një kapitull të ri për Galerinë Kombëtare të Kosovës, si në zgjerimin e kapaciteteve fizike, ashtu edhe në përpjekjet për të sfiduar narrativat margjinalizuese dhe patriarkale që kanë përcjellë historinë e saj.

Programi i këtij viti karakterizohet nga një përfaqësim i theksuar i artisteve gra, me disa ekspozita personale që prezantohen për herë të parë në këtë institucion.

Në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës do të prezantohen: rihapja e Koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, ekspozita retrospektive e Xhevdet Xhafës, ekspozita personale e Doruntina Kastratit, si dhe edicioni i 15-të i Ekspozitës Ndërkombëtare “Muslim Mulliqi”.

Ndërkaq, në GKK QAFA do të mbahen ekspozita personale të Bora Baboçit, Laureta Hajrullahut, Albe Hamitit, Anita Muçollit dhe Stephanie Rizajt, si dhe ekspozita grupore “Shtëpi”, Edicioni II.

Përveç ekspozitave, Galeria Kombëtare e Kosovës do të vazhdojë edhe programet e edukimit dhe hulumtimit, përmes punëtorive, ligjëratave, diskutimeve dhe programeve të ndërmjetësimit, me synim afrimin e publikut me artin bashkëkohor./KultPlus.com

Read Previous

Amazoni shkurton 16.000 vende pune

Read Next

Prokuroria Themelore në Gjakovë kërkon paraburgim për 15 kryesuesit që u arrestuan sot