Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e fushatës së korrje-shirjeve të grurit në komunën e Gjakovës. Drejtoria për bujqësi pylltari dhe zhvillim rural po monitoron këtë proces dhe deri më tani sipas drejtorit Haxhi Sejdiu nuk ka pasur ndonjë problem. Vlen të theksohet se korrjet janë ndikuar edhe nga kushtet atmosferike ku për disa ditë janë ndërprerë por që pastaj gjithçka ka vazhduar sipas planit.
Në çdo regjion si në Dushkajë, Rekë të Mirë, Rekë të keqe dhe të tjera do të ketë autokombajna të mjaftueshme të cilat do të bëjnë korrjen e kulturave bujqësore të mbjellura dhe realizimi i tyre pritet të jetë i suksesshëm.
Korrja e grurit po bëhet edhe në fshatin Botushë. Haxhi Mehmeti i cili jeton në Zvicër tokën e tij ua ka lënë bashkëfshatarëve të tij për ta punuar. Ai thotë se kohë më parë korrjet i kanë realizuar në mënyrë primitive ndërsa makineritë e ditëve të sotme e kanë lehtësuar punën.
Për këtë vit janë planifikuar të korren mbi 5 mijë hektarë tokë me grurë dhe të gjithë bujqit janë duke e dorëzuar grurin në pikat grumbulluese. Synimi i drejtorisë dhe fermerëve të komunës së Gjakovës është që toka e bukës të shfrytëzohet maksimalisht, në mënyrë që të mos mbetet asnjë pëllëmbë tokë pa u punuar.