Fushata ambicioze e Hong-Kongut për rritjen e sigurisë në rajon

Edhe pse Hong-Kongu cilësohet si një ndër vendet më të sigurta të botës, autoritetet lokale kanë vendosur se 2000 kamera të reja të sigurisë që do të vendosen këtë vit, janë të nevojshme për ta luftuar krimin. Këto kamera mund të pajisen me aftësinë për njohjen e fytyrës dhe mjete me inteligjencë artificiale. Por a do të ndihmojë kjo në rritjen e sigurisë apo do ta rrisë frikën e banorëve nga mbikëqyrja dhe mungesa e privatësisë

Nëse shikoni lart teksa po ecni në rrugët e Hong-Kongut, shanset janë që do të vëreni lentet e zeza të qelqta të një kamere të vëzhgimit në rrugët e qytetit të mbushura me njerëz. 

Dhe kjo do të bëhet më e zakonshme gjatë viteve të ardhshme, ndërsa policia e qytetit po nis një fushatë ambicioze për të instaluar mijëra kamera për t’i zhvilluar aftësitë e tyre të vëzhgimit.

Megjithëse është renditur si një ndër qytetet më të sigurta të mëdha të botës, policia thotë se kamera të reja janë të nevojshme për ta luftuar krimin – dhe ka ngritur shansin për t’i pajisur me aftësinë e njohjes së fytyrës dhe mjete me inteligjencë artificiale.

Kjo ka rritur shqetësimet e disa ekspertëve që mendojnë se po e afrojnë Hong-Kongun një hap më afër sistemeve të mbikëqyrjes së Kinës, duke paralajmëruar për potencialin represiv të teknologjisë. 
Policia e Hong-Kongut më herët ka vendosur të instalojë 2000 kamera të vëzhgimit këtë vit dhe ndoshta më shumë se kaq, çdo vit pasues. Autoritetet planifikojnë që pas një kohe ta vendosin njohjen e fytyrës në këto kamera, ka thënë shefi i sigurisë Chris Tang në një konferencë për mediat në korrik – duke shtuar se policia mund të përdorë inteligjencën artificiale në të ardhmen për të gjetur të dyshuarit. 

Forcat e rendit të Hong-Kongut kanë thënë në një deklaratë se po vëzhgohet se si po i përdorin policitë e vendeve të tjera kamerat e sigurisë, duke përfshirë inteligjencën artificiale. Por, nuk është e qartë se sa nga kamerat e reja mund të kenë aftësi të njohjes së fytyrës, ose nëse për një afat kur do ta ketë këtë mundësi.

Tang dhe policia e Hong-Kongut vazhdimisht kanë vënë në pah juridiksionet e vendeve të tjera, duke përfshirë demokracitë e Perëndimit, të cilat gjithashtu kanë përdorur kamerat e vëzhgimit gjatë zbatimit të ligjit. Për shembull, Singapori ka 90 mijë kamera dhe Mbretëria e Bashkuar ka më shumë se shtatë milionë, ka thënë Tangu për gazetën “Sing Tao Daily” në qershor. 

Ndërsa disa nga këto vende, siç është Mbretëria e Bashkuar, kanë filluar të përdorin kamerat me aftësinë e njohjes së fytyrës, ekspertët thonë se këto eksperimente të hershme kanë gjetur se është e nevojshme të ketë rregulla të kujdesshme dhe mbrojtje të privatësisë. Policia e Hong-Kongut ka thënë se do të “veprojë sipas ligjeve” dhe të ndjekë udhëzimet e brendshme – por nuk kanë treguar në detaje se si do të ndodhë kjo.

Dhe, sipas disa kritikëve, çfarë e veçon Hong-Kongun nga vendet e tjera është ambienti politik – në të cilin janë ndërmarrë masa të ashpra për t’i kufizuar disidentët politikë, ndërsa fillon t’i ngjasojë Kinës kontinentale autoritare.

Studentët me maska kundër gazit dhe helmeta kanë mbajtur posterë me mbishkrimet “pesë kërkesat më të mëdha janë të domosdoshme” në kolegjin St. Francis’ Canossian në Hong-Kong.

Pas protestave të paprecedenta dhe shpesh të dhunshme e antiqeveritare që janë mbajtur në qytet në vitin 2019, autoritetet lokale dhe qendrore kanë vendosur ligje gjithëpërfshirëse të sigurisë kombëtare që janë përdorur për të burgosur aktivistë, gazetarë e kundërshtarë politikë dhe të shënjestrojë grupet e shoqërisë civile dhe mediat që shkruanin për atë që po ndodhte.

Liderët e Hong-Kongut kanë thënë se ligjet janë të nevojshme për ta rikthyer stabilitetin pas protestave në rajonin gjysmë autonom dhe argumentojnë se legjislacioni i tyre është i ngjashëm me atë të ligjeve të sigurisë kombëtare në vendet e tjera të botës.

“Ndryshimi është se si do të përdoret teknologjia”, ka thënë Samantha Hoffman, një bashkëpunëtore në Byronë Kombëtare të Kërkimeve Aziatike, e cila ka studiuar përdorimin e teknologjisë për siguri dhe propagandën në Kinë./koha.net/

Read Previous

Georgia shpall gjendje emergjente për shkak të uraganit

Read Next

Asllani dhe Uzuni me probleme muskulare