Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës”, ka njoftuar se minatorët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor.
Nga kjo sindikatë, kanë bërë të ditur se interesimi i qeverisë, ministrisë dhe bordit është zero, teksa nuk e përjashtojnë mundësinë e migrimit si pasojë e kësaj qasjeje.
Njoftimi i plotë:
Tani që ndodhemi në fundin e muajit korrik, minatorët ende nuk i kanë marrë as pagën e muajit qershor!
Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen “Trepca” SH.A., janë vetem fjalë boshe dhe asgjë tjetër.
Një qasje e till refuzuese ndaj ndërmarrjes “Trepça” Sh.A dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humnerës dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të mënjehershme.
Ta dini se një qasje e tillë ndaj minierës “Trepça” Sh.A dhe minatorëve të saj nga qeveria dhe ministria e saj paraqet rrezik serioz që të gjithë minatorët të gjejnë zgjidhje të tjera apo edhe të emigrojnë jashtë vendit.
Fatkeqësisht ndoshta ky edhe është qëllimi dhe dëshira e disave!!
Jeni duke i përbuzur minierën dhe minatorët, një ditë do i kërkoni!
Reflektoni dhe ekzekutojini pagat!