Frenkie de Jong e ka bërë të qartë se është i lumtur të luajë në mbrojtje kur situata
e kërkon këtë, por nuk e sheh veten duke imituar trajnerin e tij, Ronald Koeman,
duke u bërë një shtyllë kryesore e Barcelonës në qendër të mbrojtjes.
Hollandezi ishte një nga forcat shtytëse, pas ringjalljes së Barcelonës këtë sezon, me
një sërë paraqitjesh mbresëlënëse nga mesfusha, për të kaluar më pas në qendër të
mbrojtjes për shkak të një numri dëmtimesh në prapavijë.
De Jong ka vazhduar të bëjë mirë edhe kur luan jashtë pozicionit natyral. Paraqitjet
e sigurta me topin i kanë dhënë atij krahasime me Koeman, i cili bëri emër të
madh në “Camp Nou”, në vitet 1990, si një nga mbrojtësit më të mirë.
“Unë nuk e shoh veten duke luajtur si mbrojtës qendror për pjesën tjetër të karrierës,
– tha De Jong për “Goal”. – Tani për tani është në rregull, por unë preferoj të luaj në
mes të fushës. Por, nëse duhet të luaj në një pozicion tjetër për të ndihmuar ekipin,
unë do ta bëj atë”
Lëvizja e De Jong në mbrojtje i ka lejuar produktit të “La Masia”, Ilaix Moriba, të
kalojë në ekipin e parë, duke u bashkuar me të tjerët si Ansu Fati dhe Riqui Puig.
Ish-njeriu i Ajax ka theksuar rëndësinë e të pasurit lojtarë të shtëpisë: “Është shumë
e rëndësishme të kesh lojtarë, që vijnë përmes akademisë. Ata kanë ADN-në e klubit,
kanë shumë cilësi dhe janë mjaft të rëndësishëm për Barcelonën”.