Mesfushori i Interit, Davide Frattesi, foli në mikrofonat e “Betsson Sport” gjatë intervistave të ekipit. Këto janë fjalët e tij mbi përvojën te zikaltrit, momentet më të bukura në fushë dhe në marrëdhëniet me tifozët:
Si dhe sa ka ndryshuar mënyra jote e lojës që kur ke mbërritur tek Interi?
Ka ndryshuar shumë. Te Sassuolo përdorja një modul tjetër, edhe pse kërkesat ishin të ngjashme. Këtu niveli është më i lartë. Kur vjen nga një realitet tjetër, duhet të japësh gjithçka për të arritur nivelin e atyre që kanë luajtur gjithmonë këtu. Nuk ka qenë e lehtë, por duke punuar me përulësi mund të arrish ku duhet.
Cili është momenti më i bukur me fanellën e Interit?
Fitorja e titullit në derbi, edhe sepse kam vetëm një vit këtu. Ky ishte momenti më i veçantë.
Është më mirë të shënosh gol apo të bësh ndërhyrjen vendimtare në mbrojtje? Patjetër, shënimi i golit.
Një moment i veçantë me tifozët e “San Siros” gjatë këtyre muajve…
Derbi i fazës së parë dhe ndeshja ndaj Veronës në minutën e fundit, ishin situata vërtet fantastike. Nga fusha kisha përshtypjen sikur njerëzit po vinin drejt meje, diçka e jashtëzakonshme. /Telesport.al/