Franca zotohet të monitorojë rregullat e neutralitetit të IOC për atletët rusë

Ministrja franceze për Sportin, Amelie Oudea-Castera, ka deklaruar se respektimi i rreptë i rregullave të neutralitetit të përcaktuara nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) do të monitorohet për atletët rusë dhe bjellorusë që marrin pjesë në Lojërat Olimpike të kësaj vere në Paris.

Në një intervistë me “France 2”, Oudea-Castera mbështeti vendimin e IOC për të lejuar pjesëmarrjen e rusëve dhe bjellorusëve pavarësisht luftës në Ukrainë. Ajo argumentoi se ishte në mbrojtje të vlerave të komunitetit ndërkombëtar.

“Në të drejtën ndërkombëtare”, theksoi ajo, “ekziston parimi i mosdiskriminimit” dhe në rastin e sportistëve nga këto dy kombësi, ata do të plotësojnë kriteret e IOC “nëse nuk mbështesin luftën dhe nuk kanë marrëdhënie me autoritetet qeveritare”.

Në çdo rast, ajo këmbënguli se “ne do të jemi shumë vigjilentë për të garantuar respektimin e tyre”, duke kujtuar se është IOC “ai që ka autoritetin të vendosë se kush merr pjesë dhe kush jo” dhe se ajo kishte vendosur rregullat për rusët dhe bjellorusët që donin të ishin në Paris për të garuar pa fanellën dhe himnin e vendit të tyre dhe për të respektuar Kartën Olimpike.

Sipas ministres, pasi të jetë vendosur kuadri, është e rëndësishme të sigurohet “deri në fund” që “fuqia ruse të mos instrumentalizojë sportin për lavdinë e vet”, që do të thotë të qëndrosh larg “provokimeve” të tyre.

E pyetur për mundësinë që një atlet rus të tundë flamurin e vendit të tij gjatë garës, ministrja franceze siguroi se “nuk do të ndodhë” sepse “nuk do të jetë e mundur të hysh në stadium me flamur rus”.

Me një vendim të 8 dhjetorit 2023, IOC vendosi që sportistët nga Rusia dhe Bjellorusia do të merrnin pjesë në “Paris 2024” nën kushte të veçanta, të përmendura më sipër nga ministrja franceze.

Atletët nga Rusia dhe Bjellorusia u përjashtuan nga shumë sporte të ndryshme për shkak të luftës në Ukrainë. Që nga ajo kohë, disa sporte i kanë rikthyer ata, por në kushtë të veçanta, si ato të IOC-së.

Ukraina kritikoi menjëherë vendimin e shefave olimpikë për të lejuar atletët rusë dhe bjellorusë të garojnë në Lojërat Olimpike.

Kievi zyrtar tha se atletët rusë shpesh përfaqësojnë “organizata të lidhura me forcat e armatosura” dhe se “disa prej tyre janë në detyrë aktive në ushtrinë ruse”.

Vendimi nënkupton mirëseardhjen e sportistëve që “jo vetëm që simpatizojnë vrasjet e grave dhe fëmijëve ukrainas, por ka të ngjarë të përfshihen drejtpërdrejt në këto krime të tmerrshme”, tha Ukraina.

Megjithatë, shefi i IOC-së, Thomas Bach që atëherë e ka bërë të qartë se vendimi i 8 dhjetorit nuk do të kthehet pas.

“Mos përmbushja e të gjitha kërkesave të Ukrainës nuk do të thotë mbështetje për luftën, veçanërisht pasi ne kemi treguar solidaritet të paparë me atletët ukrainas që nga fillimi i pushtimit të plotë”, tha Bach.

Gjermani shtoi se ky vendim për pranimin e atletëve nga Rusia dhe Bjellorusia nuk do të ndryshojë rrjedhën e luftës në Ukrainë në favor të Rusisë.

/albanianpost/

Read Previous

Sulmet izraelite vrasin 122 palestinezë dhe plagosin 256 të tjerë në 24 orët e fundit

Read Next

Sekuestrohen mallra në vlerë deri në 10 mijë euro në Gjakovë, dyshohet se janë të kontrabanduara