Parlamenti francez i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, që të quajë zyrtarisht grupin mercenar rus, Wagner si organizatë terroriste, teksa edhe Britania e Madhe, thuhet se po përgatitet për të kryer të njëjtën gjë.
Në Francë, parlamenti miratoi një rezolutë jo detyruese, që synon të inkurajojë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, për ta vendosur Wagnerin në listën e saj zyrtare të organizatave terroriste, shkruan The Guardian.
“Kudo që punojnë, anëtarët e Wagner përhapin paqëndrueshmëri dhe dhunë”, tha deputeti Benjamin Haddad në parlament. “Ata vrasin dhe torturojnë. Ata masakrojnë dhe plaçkitin. Ata frikësojnë dhe manipulojnë pothuajse me pandëshkueshmëri totale”, shtoi ai.
Deputeti u shpreh se ata nuk ishin mercenarë të thjeshtë të shtyrë nga “oreksi për para”, por ata “ndjekin një strategji të gjerë, nga Mali në Ukrainë , për të mbështetur politikat agresive të regjimit të Presidentit Vladimir Putin ndaj demokracive tona”, theksoi Haddad. /abcnews.al