Trazirat në Francë duket se po qetësohen, pas pesë ditësh protesta të dhunshme si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së të riut nga ana e policisë
Më shumë se 150 persona u arrestuan të dielën mbrëma, krahasuar me më shumë se 700 një natë më parë.
Ditët e fundit ka pasur thirrje të shumta për ndalimin e dhunës, përfshirë edhe ato nga familja e Nahelit.
Kryetarët e bashkive kanë bërë thirrje që njerëzit të mblidhen jashtë bashkive të hënën për të protestuar kundër dhunës dhe plaçkitjes.
Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë të dielën, një shoqatë e kryetarëve të bashkive të vendit thekson se “komunat kudo në Francë janë skena e trazirave serioze, të cilat synojnë simbolet republikane me dhunë ekstreme”.
“Ne refuzojmë ta lëmë vendin tonë t’i nënshtrohet kaosit… Fatkeqësisht, kjo situatë nuk është befasi dhe prej vitesh kryebashkiakët e Francës kanë rënë këmbanat e alarmit për degradimin në shoqërinë tonë”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Ajo gjithashtu i referohet sulmit në shtëpinë e një kryetari bashkie në periferi të Parisit në fundjavë, në të cilin rebelët qëlluan me raketa mbi gruan dhe fëmijët e zyrtarit në arrati. Ngjarja po trajtohet si vrasje e mbetur në tentativë.
Rebelët kanë dëmtuar dhe kanë tentuar të vënë flakën në disa bashki në të gjithë Francën që nga fillimi i trazirave.
Megjithatë, mbrëmjen e së dielës u vu re një rënie e dukshme e numrit të incidenteve të regjistruara krahasuar me javën e kaluar, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Mbrëmë u dogjën 297 makina krahasuar me 1900 të së enjtes, ndërsa 34 ndërtesa u dëmtuan ose u dogjën në krahasim me më shumë se 500 të enjten.
Të martën, presidenti francez Emmanuel Macron do të takohet me kryetarët e 220 zonave komunale që janë prekur nga dhuna.
Të dielën, një zjarrfikës 24-vjeçar u vra teksa kërkonte të shuante disa makina që ishin djegur në një park nëntokësor në Seine-Saint-Denis, në veri të Parisit, tha ministri i Brendshëm Gerald Darmanin.
Një zëdhënës i brigadës së zjarrfikësve të Parisit tha për BBC se në këtë fazë nuk ka “asnjë lidhje zyrtare” me dhunën që ka tronditur Francën, por ministria e brendshme tha se një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar rrethanat e zjarrit.
Rreth 45,000 oficerë u vendosën në të gjithë vendin për të tretën ditë radhazi. Megjithatë, ka shpresa se trazirat po zbehen pasi e diela ishte një natë shumë më e qetë.
Në fundjavë familja e Nahelit, adoleshentit të vrarë nga policia bëri thirrje për qetësi.
Një i afërm i Nahelit i tha BBC-së se familja nuk donte që vdekja e tij të shkaktonte trazira, por këmbënguli se ligji për forcën vdekjeprurëse në ndalesat e trafikut duhet të ndryshojë.
Dhe gjyshja e tij akuzoi rebelët se përdorën vdekjen e Nahelit si justifikim dhe u kërkoi atyre të ndalonin shkatërrimin e të mirave publike.
/klankosova/