Porti i Vlorës ka shënuar këto ditë korriku një fluks të shtuar të udhëtarëve që vijnë më tragete nga shteti fqinj Italia.
Drejtori i portit të Vlorës, Ilir Banushi tha sot për ATSH-në se “nga 1-19 korrik ka pasur fluks, ku konkretisht kanë hyrë 7810 udhëtarë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ka një rritje prej 2%”.
Sa i përket numrit të automjeteve, Banushi tha se janë 1835 automjete ose + 15 % më shumë se 2023, ndërsa kamionë janë 544 ose +72 % më shumë në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas tij. diferenca në krahasim me vitin e kaluar është në rritjen e pasagjerëve që hyjnë me automjete.
“Karakteristika tjetër është rritja e numrit të kamionëve për qëllime tregtare”, shtoi Banushi.
Drejtori i portit të Vlorës Banushi tha se rritja e numrit të udhëtarëve parashikohet të vazhdojë deri rreth datës 10 gusht.
Gjatë gjithë sezonit turistik autoritetet portuale po punojnë me intensitet të lartë për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve. Mësohet se janë marrë të gjitha masat për t’i shërbyer sa më mirë fluksit të pasagjerëve./ata.gov.al/