Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se disa prej përfaqësuesve të Këshillit të Evropës nuk u paraqitën në darkën e organizuar nga delegacioni shqiptar mbrëmjen e djeshme, pas fjalimit të tij në Asamblenë e këtij institucioni.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se ata e kishin konfirmuar më parë që do merrnin pjesë, teksa shtoi se nuk ishin ndjerë mirë për shkak të fjalimit të tij kundër raportit të Dick Marty.
Sipas tij, fjalimi u ka rënë si një rrufe në qiell të pastër dhe theksoi se atyre do t’u duhet kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri.Reklama
Një përgjigje Rama e ka pasur edhe për opozitën në Shqipëri.
“Por është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratëve dhe e rublave gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra”, shkruan ndër të tjera Rama në Twitter. /Telegrafi/