Fituesi i çmimit Nobel për Paqe akuzohet për kontrabandë, rrezikon 12 vjet burg

Fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Ales Beliatski, një mbrojtës i të drejtave të njeriut në Bjellorusi, përballet me 12 vjet burg për një rast të “kontrabandës” të parave. Lajmi është bërë i ditur nga OJQ-ja e tij Viasna.

Beliatski ndodhet në burg që nga korriku 2021 në Bjellorusi, së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë të arrestuar dhe një të tretë në internim jashtë vendit. Ai rrezikon 7 deri në 12 vite burg, ndërsa data e gjykimit nuk është caktuar ende.

Beliatski dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen se kanë lëvizur “një sasi të madhe parash në mënyrë të organizuar” përtej kufirit bjellorus dhe se kanë “financuar veprime kolektive që minojnë seriozisht rendin publik”.

Kjo aferë është perceptuar gjerësisht si hakmarrje nga presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, në pushtet që nga viti 1994, një aleat i Moskës.

Ales Beliatski fitoi Çmimin Nobel për Paqe këtë vit falë luftës së tij për të drejtat e njeriut, së bashku me Qendrën Përkujtimore Ruse dhe OJQ-në “Ukraine Center for Civil Liberties” (Ukraina Qendra për Liritë Civile). Bjellorusia e kishte cilësuar këtë çmim si një “vendim të politizuar”.

E themeluar në vitin 1996 gjatë protestave masive pro-demokracisë në Bjellorusi, Viasna filloi duke ofruar ndihmë për njerëzit e burgosur dhe familjet e tyre. Puna e saj më pas u shtri në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. /A2CNN

Read Previous

BE-ja importoi 15.2 miliardë euro produkte të energjisë së ripërtrishme

Read Next

Mattia Binotto ka dhënë dorëheqjen si drejtori i ekipit të Ferrarit