​Pas Messit, kush e merr “10”-shin e Argjentinës?

Lionel Messi është në prag të fundit të aventurës së tij me Argjentinën, ndërsa tashmë ka nisur diskutimi se kush mund ta trashëgojë fanellën ikonike me numrin 10.

Messi pritet të zhvillojë ndeshjen e 208-të dhe të fundit me fanellën e Argjentinës të martën mbrëma në “Estadio Monumental”, kundër Beninit. 39-vjeçari largohet nga kombëtarja si rekordmen për paraqitje dhe gola, me 125 realizime, ndërsa gjatë karrierës së tij ndërkombëtare e udhëhoqi Argjentinën drejt Kupës së Botës dhe dy titujve radhazi të Copa América.

Me largimin e Messit, fanella me numrin 10 do të mbetet një nga simbolet më të rëndësishme të futbollit argjentinas. Trashëgimia e saj është e lidhur edhe me Diego Maradonën, ndërsa pas largimit të tij numrin 10 e bartën për periudha Pablo Aimar, Ariel Ortega dhe Juan Román Riquelme.

Megjithatë, sipas analizës së publikuar nga Goal.com, nuk pritet që ndonjë lojtar ta zëvendësojë drejtpërdrejt Messin, pasi pesha e tij në kombëtare është e jashtëzakonshme. Argjentina duhet të gjejë një mënyrë të re për të ruajtur nivelin e saj, me disa futbollistë që mund të marrin role më të mëdha.

Julian Alvarez shihet si opsioni më i sigurt. Sulmuesi i Atletico Madridit kishte një rol të rëndësishëm gjatë kualifikueseve të Botërorit 2026, kur Messi mungonte ose nuk ishte titullar. Ai shënoi shtatë gola në atë periudhë dhe tashmë ka përvojë të madhe në nivelet më të larta të futbollit evropian.

Një tjetër emër i rëndësishëm është Nico Paz. 22-vjeçari shihet si lojtari që i afrohet më së shumti profilit të Messit, pasi është një numër 10 teknik, kreativ dhe me këmbën e majtë. Paz ka spikatur me Comon dhe ka marrë vlerësime edhe nga Messi, ndërsa trajneri Cesc Fabregas e ka cilësuar si një futbollist me guxim, vizion dhe ambicie të jashtëzakonshme.

Në garë është edhe Franco Mastantuono, 19-vjeçari i cili tashmë e ka veshur fanellën me numrin 10 të Argjentinës. Anësori, i cili ka kaluar nga River Plate te Real Madridi dhe aktualisht është i huazuar te Fiorentina, përshkruhet si një talent i drejtpërdrejtë dhe i sigurt, me ngjashmëri të caktuara në stil me Messin.

Thiago Almada është një tjetër alternativë. Mesfushori ofensiv ka qenë prej kohësh një nga lojtarët e preferuar të trajnerit Lionel Scaloni dhe pas një periudhe të vështirë në Evropë është rikthyer në Argjentinë, ku po luan për River Plate. Ai ka nisur mirë aventurën e re, duke shënuar dy gola në pesë ndeshjet e para si titullar.

Megjithatë, ideja kryesore është se Argjentina nuk duhet ta shohë këtë si një zëvendësim të drejtpërdrejtë të Messit. Skuadra ka ende një bazë të fortë me Julian Alvarezin, Nico Pazin, Mastantuonon, Enzo Fernandezin dhe Alexis Mac Allisterin, ndërsa Cristian Romero pritet të marrë rolin e kapitenit.

Fundi i epokës së Messit shënon fillimin e një cikli të ri për Argjentinën, e cila do të duhet të gjejë një identitet të ri pa futbollistin që për më shumë se dy dekada ishte figura kryesore e saj. /KosovaPress/

Read Previous

Ndahet Çmimi Nobel për Mjekësinë, fitues janë shpallur tre shkencëtarë

Read Next

Kriza e strehimit trondit Evropën, shtëpitë dhe qiratë po bëhen të papërballueshme