Fatlumi, një elektricist 60-vjeçar që jeton në Kukës, është dashamirës për të rinjtë që kanë provuar fatin për të kaluar ilegalisht Kanalin.
E gjitha për një të ardhme në Britaninë e Madhe.
“Ata kanë të afërm atje, shkojnë për punë të ndershme. Vetëm ata me familje të pavëmendshme mund të përfundojnë me bandat e drogës”, ka thënë ai për “Financial Times”.
Ka një mungesë të dukshme të djemve 20-vjeçarë në Kukës.
Thuajse të gjithë duket se kanë të afërm mes rreth 150 mijë shqiptarëve që vlerësohet se jetojnë në Britaninë e Madhe, pjesë e një eksodi kombëtar që është rritur këtë vit.
Numri i shqiptarëve që mbërrinin ilegalisht përmes Kanalit u rrit me 43 për qind midis majit dhe shtatorit të këtij viti, referuar shifrave të qeverisë së atjeshme.
Suella Braverman, sekretarja e Brendshme, e quajti valën “pushtim” dhe i përshkroi shumë prej emigrantëve si “kriminelë”.
Por kjo çoi në një përgjigje të zemëruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
Shqiptarët – të ndodhur në një udhëkryq mes grekëve, turqve dhe sllavëve – kanë një traditë të emigrimit që daton shekuj më parë.
Një brez mori rrugën në vitet 1990 pas dekadash varfërie ekstreme dhe izolimi nën regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Kjo u pasua nga një tjetër eksod i njerëzve që ikën nga vështirësitë ekonomike, pastaj një tjetër si shqiptarë etnikë që ikën nga lufta në Kosovën fqinje rreth vitit 2000.
Tani, rreth një e treta — ose 1.7 milionë — e të gjithë shqiptarëve jetojnë në diasporë, sipas INSTAT-it.
Për ata që mbeten në vend, paga mesatare mujore është 60 mijë lekë ose 450 paund në muaj.
Në zonat e thella rurale si Kukësi, pagat mund të jenë dukshëm më të ulëta dhe shumë njerëz ia dalin mbanë përmes punëve shtesë që nuk pasqyrohen në statistikat zyrtare.
Fatlumi mbijeton duke u kujdesur për shtëpitë e tre vëllezërve të tij që punojnë në Londër – dy si elektricist dhe një si shofer autobusi.
Kontrasti midis mundësive ekonomike të disponueshme në luginat e largëta si Kukësi është i madh, sipas Edval Zoto, një konsulent i pavarur që po drejton një program të ri shtrirjeje të financuar nga qeveria e Britanisë së Madhe në rajon.
“Institucionet janë shembur. Shkollat e ndërtuara për 300 fëmijë tani kanë 50. Punët zhduken, ashtu dhe siguria familjare. Universiteti i Tiranës mbylli degën e tij lokale. Nuk ka mundësi për karrierë, nuk ka vizion”, ka thënë ai.
Po ashtu ka shtuar se të rinjtë tundohen nga një botë me para të bëra lehtë të portretizuara nga trafikantët duke përdorur imazhe për fushata të sofistikuara në mediat sociale.
“Parë nga veriu i Shqipërisë rurale, Londra është jashtëzakonisht e pasur”, ka treguar Zoto, duke shtuar se prindërit në zonë janë të tmerruar se djemtë e tyre do të tërhiqen nga bandat e drogës.
Programi i financuar nga Britania e Madhe, me vlerë 8.3 milionë paund gjatë katër viteve, synon të kundërshtojë fushatat e bandave në mediat sociale, si dhe të ndihmojë të rinjtë vendas të gjejnë punësim në bizneset shqiptare.
Çka përfshin zhvillimin e turizmit lokal duke trajnuar punonjësit e shpëtimit malor dhe guidat, hapjen e një qendre informacioni turistik dhe krijimin e një qendre rinore ku të rinjtë mund të mësojnë gjuhë dhe aftësi kompjuterike.
Teksa dimri mund të ngadalësojë emigrimin, ekspertët vendas presin që shifrat të rriten vitin e ardhshëm.
Dikur një procedurë e shtrenjtë që kushtonte deri në 20 mijë paund, që përfshinte dokumente të rreme, ryshfete kufitare dhe udhëtime me kamionë, këtë vit kostoja e një udhëtimi ka rënë në pesë mijë paund.
Kjo pasi kontrabandistët përdorin në vend të kësaj operatorët e gomoneve të vogla afrikano-veriore në Kanal.
Alastair King-Smith, ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, i është lutur shqiptarëve të mos u besojnë trafikantëve.
“Ajo që po shfaqet në mediat sociale nuk është realiteti. Mos shkoni ilegalisht”, ka thënë ai.
Kryeministri Rama ka treguar për “Financial Times” se i ka diskutuar mënyrat për të goditur bandat e drogës me qeveritë e njëpasnjëshme britanike.
Por që propozimet e tij nuk u ndoqën kurrë.
Megjithatë, gjatë mandatit të tij, bandat shqiptare kanë ndërtuar mbi një traditë dekadash të kultivimit dhe eksportit të kanabisit për të krijuar një rrjet të fuqishëm global trafikimi.
Të paktën sipas një raporti të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.
“Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të jashtëzakonshëm në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe rrjetet e krimit të organizuar dhe Shqipëria është një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e bashkuar,” thuhet në raport.
Gjithashtu thuhet se “sundimi relativisht i dobët i ligjit, korrupsioni dhe niveli i lartë i papunësisë janë shtytësit kryesorë të problemit të kontrollit të drogës në Shqipëri”.
Teksa Rama i ka hedhur poshtë akuzat, Partia Demokratike e ka akuzuar atë se ka ndërtuar një regjim të korruptuar dhe autokratik gjatë nëntë viteve të tij në detyrë, duke i lënë shqiptarët mesatarë me pak shanse për të ecur përpara, përveçse duke u larguar nga vendi.
Madje, protesta e së shtunës kundër korrupsionit, varfërisë dhe emigracionit tërhoqi dhjetëra mijëra njerëz.
/Financial Times/Albanianpost.com