Sot ka filluar zëvendësimi i orëve të humbura për vitin shkollor 2021-2022 sipas vendimit të lëshuar nga MASHTI ditë më parë. Drejtori i arsimit në komunën e Gjakovës Gjevalin Nikollbibaj përmes telefonit ka deklaruar se sot në të gjitha shkollat e nivelit paraunniversitar mësimi është mbajtur sipas planifikimeve të MASHTI.
Njejtë është vepruar edhe në shkollën e muzikës ‘’Prenk Jakova’’, këtë të shtunë u zëvendësua një ditë e humbur.
Ndërsa profesorët thonë që nuk vërejnë hezitim të nxënësve që të dalin të shtunave për t’i kompenzuar orët e humbura.
Ndërkaq nxënësja e kësaj shkolle thotë se 18 orë të mësimit janë shumë për tu humbur dhe se është e kënaqur që kanë filluar me zëvendësim
Por jo të gjithë nxënësit e kanë të lehtë të ndjekin mësimin të shtunave. Kjo për shkak të transportit i cili gjatë vikendit ka linja më të rralla.
Në shkollën teknike ‘’Nexhmedin Nixha’’ kjo problematikë po u vështirëson nxënësve ardhjen në mësim.
Këtë problem e rikonfirmon edhe një nxënëse e kësaj shkolle.
Duke nisur nga kjo e shtunë sipas MASHTI parashihet të kompenzohen të gjitha orët e humbura.