Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka vlerësuar sezonin 2024–2025 si më të suksesshmin deri më tani në basketbollin kosovar. Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se rivaliteti ka qenë shumë i lartë, me ndeshje të barabarta dhe rezultate të ngushta, çka e ka bërë kampionatin më tërheqës për publikun.
Fetahu ka thënë se në pothuajse 150 ndeshjet e zhvilluara brenda këtij sezoni në Superligën e Kosovës në basketboll, rezultati gjithmonë ka qenë tejet i ngushtë dhe krejt kjo për shkak të cilësisë së të gjitha skuadrave.
“Secili vit po vjen më i mirë se ai i kaluari. Këtë vit besoj që kemi pasur stinorin më të fortë të cilin e kemi parë deri sot në basketbollin e Kosovës. Me disa ndryshime të vogla të cilët i kemi bërë ne në sistemin e garave tjera, besoj që edhe këtu i kanë kontribuar pak ngritjes së cilësisë dhe ngritjes së rivalitetit. Në anën tjetër, e konsideroj që puna e madhe e cila është bërë në të gjitha klubet e Superligës gjatë këtij viti dhe atë pa përjashtim do të thotë e kemi pasur situatën sërish, ku të gjitha klubet janë të forta, ku secila ndeshje është e paparashikueshme deri në momentin e fundit, ku shumica dërmuese e ndeshjeve përgjatë tërë Superligës dhe do të rreth këtyre njëqind e pesëdhjetë ndeshje të cilat Superliga i zhvillon brenda një viti rezultati ka qenë më i ngushtë se sa shtatë-tetë-dhjetë pikë, kështu që besoj që kjo është ajo që e bë në garën tonë edhe të dashur për publikun, po edhe jashtëzakonisht atraktive edhe për mediat dhe për gjithçka tjetër”, thotë fillimisht Fetahu.
Tutje, i pari i FBK-s vlerëson edhe përmirësimin e kulturës së tifozerisë dhe mungesën e incidenteve serioze në palestra, duke theksuar integritetin e garave.
“Ajo që më jep shumë kënaqësi do të thotë në retrospektivë është që kemi pasur garë në të cilën nuk kemi pasur ato vragët e incidenteve të shumta, të cilat mund t’i kemi pasur para dy, tri, katër viteve më parë. Jemi duke tregu besoj një konsistencë të mirë në organizim, jemi duke tregu seriozitet edhe ajo që gëzon më së shumti në krejt këtë punë është që kultura e cila është krijuar tashmë nëpër palestrat tona, hiq disa incidente të vogla, sepse është e pamundur që t’i abstrahojmë të gjitha, sepse disa incidente edhe kanë ekzistuar përgjatë vitit, por jo në nivel të cilin kemi parë disa vite më parë. Do të thotë kultura e cila është krijuar nëpër palestra tona është vërtet për lakmi edhe me shumë bindje e them do të thotë që duke marrë parasysh të gjitha këto viti dy mijë e njëzet e katër dy mijë e njëzet e pesë, apo ky stinori i fundit, sigurisht duhet të ketë qenë më i suksesshmi deri tash, dhe sa i përket garës së cilësisë, edhe sa i përket organizimit apo cilësisë së organizimit të këtyre ndeshjeve, do të thotë nga xhiroja e parë e deri në finalen e fundit të këtij kampionati”, thekson më tutje i pari i FBK-s.
Por, a ka frikë për kurdisje ose manipulime të rezultateve kur ofrohet fundi i sezonit në elitën e basketbollit kosovar?
“Absolutisht jo. Kjo më bën jashtëzakonisht krenar. Më bën krenar fakti që ne e kemi pasur ekipin i cili gjasat për të mbetur në Superligë i ka humbur ndoshta pesë-gjashtë xhiro para fundit por e ka mbajtur tërë ekipin edhe ka luajtur me tërë ekipin deri në xhiron e fundit edhe ka luftuar edhe në xhiron e fundit, në ndeshjen e fundit ka luftuar për fitore përkundër faktit që nuk ka pasur në kuptim sportiv, ajo nuk ka pasur kurrfarë vlere si fitore, por kjo më bën jashtëzakonisht lumtur, jashtëzakonisht krenar dhe që integriteti i garës sonë është i mbrojtur nga dita e parë deri në fund. Nuk kemi matematika të cilat bëhen, nuk kemi kurdisje, madje as të dyshuara të ndeshjeve”, thotë Fetahu.
Ai po ashtu flet për refuzimin e gjyqtarëve vendorë për të punuar me gjyqtarë të huaj, gjë që ka detyruar FBK-në të ndryshojë sistemin e gjykimit.
“Referët tanë do të thotë nuk kanë dashur që ta ndajnë terrenin edhe me referë të huaj, kanë thënë që nëse do të kemi referë të huaj ne nuk do të marrim pjesë në gjykimin e këtyre ndeshjeve. Me keqardhje na është dashur që ta pranojmë këtë dhe pastaj ta ndërrojmë tërë sistemin për t’i marrë të gjithë referët huaj për të shkuar deri në fund. Nuk është e lehtë, nuk ka qenë e lehtë për mua subjektivisht dhe emocionalisht nuk ka qenë e lehtë për shkak se më është dashtë me e shkelë ndoshta atë fjalën të cilën e kam dhënë në fillim të stinorit, në anën tjetër refer tanë janë ata të cilët e mbajnë garën tonë, anë ata të cilët na përkrahin, janë ata të cilët kanë mirëkuptim ndaj faktit që ne nuk jemi më të rregulltit në botë sa i përket pagesave, madje sivjet jemi më keq se sa që kemi qenë në vitet e kaluara”, bën të ditur Fetahu.
Në fund, Fetahu paralajmëron reforma dhe riorganizim të garave për sezonin e ardhshëm, me fokus në përmirësimin e kapaciteteve organizative dhe financiare të klubeve.
“Arsyeja pse i kemi marrë vetëm dy organizime, njëra është thotë tash tre herë tre që kemi në fillim qershorit e tjetra është në Pejë, kampionati U18 i vajzave për Divizionin C, është që të fokusohemi sa më shumë që të është e mundur në konsolidimin e bazës edhe normative, po edhe komerciale për atë që na pret nga shtatori e tutje në Superligë dhe në sistemin e tjetër të garimit. Do të ketë ndryshime sa i përket sistemit të garimit tek gjeneratat e reja. Jemi duke i përgatitë ato që po mendojmë që të jenë si propozime të para sa i përket zhvillimit të garave në nivel të Superligës edhe të ka kategorive tjera seniore, një gjë që sigurt nuk do ta bëjmë që të ngutemi me cilindo vendim, sepse ka kohë mjaftueshëm. Për të marrë këto vendime e kemi kërkuar prej ekspertëve që të na bëjnë një analizë të situatës në terren për sa i përket kapaciteteve të klubeve për të luajtur në Superligë dhe për të për t’u angazhuar në të gjitha nivelet e garimit”, ka bërë të ditur Fetahu.
Ndryshe, klubi i basketbollit Trepça është shapplur kampion i Kosovës duke e mposhtur Bashkimin në ndeshjet e playoff-it. /KosovaPress/