Fetahu: ​Huliganizmi “pikë e zezë” e basketbollit kosovar

2023-ta ishte vit i avancimit të basketbollit kosovar, por kishte edhe pika në të cilat ka pasur hapësirë për të bërë më mirë.

Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu.

“Në përgjithësi, besoj që kemi bërë një hap përpara. Unë besoj që në disa segmente të basketbollit, nëse e shohim si tërësi, jemi shumë përpara në krahasim me para dy apo tri vjetëve. Në disa segmente të tjera ka natyrisht ende hapësirë për përparim, ka ende hapësirë shumë për punë, lë shumë për të dëshiruar për disa prej pjesëve, por në përgjithësi besoj se kemi bërë një hap përpara. Unë besoj që basketbolli i Kosovës këtë vit është shumë më mirë se sa vitin e kaluar. Besoj që gjatë vitit 2023 në të gjitha nivelet kemi pasur përparim dhe avancim”, thotë Fetahu.

Por, jo gjithçka shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Fetahu thotë se veprimet e dhunshme të tifozëve ishte “pika e zezë” në basketbollin e Kosovës.

“Besoj që rezultatet sportive, të cilat i kemi me disa prej përfaqësueseve tona, lënë për të dëshiruar. Gjithashtu, lë për të dëshiruar edhe niveli i kulturës, të cilën e kemi treguar nëpër palestrat tona. Do të thotë, nëse më pyet cili ka qenë problemi më i madh i vitit 2023, do të thosha që shpërfaqja e dhunës dhe veprimeve huligane nëpër palestrat tona. (Ato) i kanë bërë më së shumti dëm dhe kanë qenë faktor kryesor nëse ka pasur çfarëdo stagnimi në basketbollin tonë, këta kanë qenë faktorë determinues”, thekson Fetahu.

I pari i FBK-së shprehet i shqetësuar me faktin se ata që po ndërmarrin veprime huligane në palestra po kalojnë me dënime shumë të lehta nga organet e drejtësisë dhe kjo pastaj po mundëson përsëritjen e ngjarjeve të tilla.

“Nuk është që kemi marrë ndonjë mbështetje në lidhje me atë çfarë po ndodh. Ose ne nuk kemi informata të mjaftueshme lidhur me ndëshkimin e tyre ose janë duke kaluar me ndëshkime fare të lehta. Në momentin që do ta kemi një sistem, i cili e ndëshkon vërtet huliganizmin, e huliganizmi është vepër penale që nga ndryshimet e fundit në kodin tonë penal, nëse kemi veprime që e ndëshkojnë huliganizmin drejtpërdrejt, unë jam i bindur që ne si Federatë nuk do të duhej që të merreshim më me zhvillimet të tilla. Është fatkeqe që të gjitha shigjetat e tërë komunitetit për këtë punë kthehen ndaj Federatës, por kjo është për shkak se ata adresë tjetër nuk kanë, sepse askush tjetër nuk po merret ndoshta pak më seriozisht me ndëshkimin e tyre”, deklaron Fetahu.

Gjatë vitit 2024, Federata e Basketbollit ka marrë të drejtën e organizimit të pesë ngjarjeve ndërkombëtare dhe kjo sipas Fetahut do të jetë mjaft sfiduese.

“Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur me faktin që po i organizojmë vetë. Jemi jashtëzakonisht të lumtur me besimin, i cili po na tregohet prej FIBA-s, për t’i organizuar këto evenimente. Vërtet, t’i organizosh pesë kampionate evropiane të çfarëdo niveli është shumë për cilëndo federatë… Por, kjo është shumë sfiduese në anën tjetër për Federatën e Basketbollit. Është sfiduese për disa arsye, jo pse ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme brenda Federatës, sepse e kemi dëshmuar që mund të bëjmë organizime të tilla… por është sfiduese për shkak të kapaciteteve të hotelerisë, për shkak të akomodimit të personave, të cilat na vijnë për shkak të logjistikës të cilën e kemi në vend”, thekson Fetahu.

Për ngjarje të tilla me kapacitete të mëdha, Fetahu thotë se nevojitet infrastrukturë e re sportive, derisa zbulon se në vitin 2024 do të nisë ndërtimi i dy palestrave ndihmëse të basketbollit

“Për vitin 2024 ne do ta kemi në program ndërtimin e palestrave ndihmëse, fillimin e ndërtimit të palestrave ndihmëse. Ne e kemi dërguar një kërkesë në qeveri ku që të na ndërtohen palestra ndihmëse për zhvillimin trajnimeve, si qendra trajnuese edhe fatmirësisht e kemi zotimin që dy prej tyre do të fillojnë së ndërtuari gjatë vitit 2024. Ky është një hap të cilin e kemi ndërmarr bashkërisht edhe me FIBA-në, e cila do të na ndihmojë në dizajnimin e këtyre palestrave dhe do t’i çojmë përpara, fillimisht dy të parat besoj që do të fillojnë së ndërtuari që nga viti 2024. Por, ky i njëjti program afatgjatë për zhvillimin e basketbollit me qeverinë ende nuk është miratuar, por është në shqyrtim dhe shpresoj të miratohet së shpejti. Parasheh edhe ndërtimin e palestrës së madhe”, bën të ditur Fetahu.

Sa i përket Kombëtares së Kosovës në basketboll, Fetahu thotë se 2024-ta do të jetë vit i ndryshimeve dhe për këtë janë dakorduar me trajnerin Rami Hadar.

“Me trajnerin Hadar jemi marrë vesh që nga nëntori e tutje të kemi prurje të reja. Se kur do të bëhet prerja, nuk është për mua ta thërras këtë punë. Është evidente që disa prej lojtarëve tanë e kanë kaluar moshën optimale për të qenë në nivel të tillë të angazhimit tërë kohën dhe të japin maksimumin e tyre. Kështu që do t’ia lëmë kohës këtë, por gjatë vitit 2024 do të ketë përtëritje të ekipit, do të ketë sjellje të lojtarëve të ri”, thotë ai.

Sipas tij, në vitin 2024 do të rikthehet sërish zhvillimi i Ligës Unike të basketbollit me ndeshje ndërmjet ekipeve të Superligës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e po ashtu do të vazhdohet me projektin për shtrirjen e basketbollit nëpër shkolla në të gjithë territorin e Kosovës.

Read Previous

Spanja deklarohet rreth njohjes së pasaportës së Kosovës

Read Next

Eksperti nga Brukseli: Tani është momenti që Spanja dhe katër shtet tjera ta njohin Kosovën