“Festo me zemër jo me armë” – Gërvalla: Përdorimi i tyre në ahengje keqinterpretim i traditës

Ministria e Punëve të Brendshme të premten e ka lansuar fushatën sensibilizuese “Festo me zemër jo me armë”. Moto e kësaj fushate ishin “Festa është gjithmonë më e bukur pa armë” dhe “Dasmorit shumë më bukur i rri në duar shamia, se arma”.

Zv.kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla përgëzoi Ministrisë e Brendshme për nisjen e kësaj fushate. Ajo ka shtuar se përdorimi i armës është vepër penale dhe duhet ndjekur nga të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.

Sipas saj, përdorimi i armës në ahengje është keqkuptuar dhe është keqinterpretim i një tradite më të vjetër se gjashtëshekollure. Ajo më tej ka shtuar se nuset nuk i marrim me dhunë as nuk i grabisim, prandaj thotë se ky mesazh duhet që të përçohet edhe te gjeneratat e reja.

Gërvalla u shpreh e shqetësuar edhe se poezitë për fëmijë janë me luftëra e me armë, duke shtuar se duhet të gjenden mënyra më të mira për t’u treguar atyre se çka ka bërë gjyshërit e tyre në të kaluarën.

“Keqkuptohet se arma e bënë burrin të duket burrë. Keqkuptohet koha kur Kosova nuk kishte lirinë e saj, shtetin e saj. Kohë kur Kosova nuk u mundësonte ndërtimin e të ardhmes sonë. Ne sot nusen e marrim me muzikë, me festë, nuk i grabisim. Nusja sot vjen në një familje ku është e mikpritur. Prandaj keqinterpretimi i një tradite më të vjetër se gjashtëshekullore është ndonjëherë më shumë i dëmshëm se i dobishëm. Është e rëndësishme të mendojmë se ç’mesazh po i përçojmë të rinjve tanë, fëmijëve tanë”.

“Nëse shkoni të shihni poezitë që një fëmijë i vogël di, shumica prej tyre janë me gjak, me luftë, me armë. Duhet të gjejmë mënyra të reja, të mira, për t’ju treguar se çka kanë bërë gjyshërit e tyre. Arma nuk e ka vendin as në familje, as në shtëpi. Arma e ka vendin në duart e Policisë së Kosovës, tek profesionistët të cilët janë të trajnuar të ushtrojnë rendin dhe ligjin qoftë edhe me anë të forcës. Mërgata kur vjen të mos përballet me tragjedi. Përdorimi i armës është vepër penale dhe duhet ndjekur nga të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë”.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se Policia e Kosovës rreth 1 500 armë ilegale i konfiskoi vetëm brenda një viti.

Sipas tij, duhet të ritheksohet se të shtënat në tubime e ahengje familjare janë të ndalueshme me ligj dhe të dënueshme penalisht.

Ai ka sqaruar se një plumb i hedhur në ajër kthehet me forcë të mjaftueshëm për të depërtuar në trupin e njeriut, raporton EO.

“Fushata do të prihet kryesisht gjatë sezonit të verës. Arsyeja janë shtimi i ahengjeve, shtimi i popullsisë pra ardhja e mërgatës, e me këtë shtim edhe shtimi i të shtënave. Mendojmë se institucionet mund të arrijnë ndalimin e shtënies së armëve. Policia e Kosovës vazhdimisht punon në këtë drejtim, por e vetme nuk mund të arrijë të ndalojë këtë fenomen. Një nga prioritetet e ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e Qeverisë së Kosovës është ofrimi dhe ruajtja e sigurisë”. 

“Duhet ta ritheksojmë e ripërsërisim se të shtënat në tubime e ahengje familjare janë të ndalueshme me ligj dhe të dënueshme penalisht. Një plumb i hedhur në ajër kthehet me forcë të mjaftueshëm për të depërtuar në trup të njeriut. Policia e Kosovës rreth 1 500 armë ilegale i konfiskoi vetëm brenda një viti. Në muajt në vijim do të bëjmë punë vazhdimisht që shtënia me armë është veprim i dënueshëm ligjërisht, akt i shëmtuar e primitiv, dhe arma nuk e ka vendin në dasmat tona, arma nuk e ka vendin në ahengjet tona”.

Shqipdon Fazliu nga Prokuroria e Shtetit, tha se ndonëse këto raste ndodhin në familje dhe motivi nuk ka qenë vrasja, dënimi është i njëjtë.

“Kryerësit e këso rasteve janë ose dashamirë ose familjarë. Por pavarësisht motivit dënimi për vrasje është i njëjtë. Kjo fushatë është e një rëndësie të veçantë; arma është vdekjeprurëse. Festoni ditën e natën, kërceni e luani por duhet t’i kursejmë edhe fëmijët e të afërmeve tonë. Ka pasur raste kur prindi e ka vrarë fëmijën e tij, burri ka vrarë njëkohësisht gruan dhe nënën e tij”.

Nënkolonelja Zylfije Dema, në emër të Policisë së Kosovës, tha se çdo qytetarë duhet që të reflektojë për përdorimin e armëve në ahengje, duke bërë apel që të dëgjohen thirrjet e Policisë.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi është e angazhuar dhe paralajmëron qytetarët për rrezikshmërinë dhe dënueshmërinë e përdorimit të armëve. Është e papranueshme që të kemi humbje jete në raste gëzimi. Kërkojmë nga çdo qytetar që të reflektojmë mbi veprimet dhe vendimet e tyre”.

Mbështetës së kësaj fushate janë Bashkimi Evropian dhe UNDP-ja.

/eo/

Read Previous

Gjermania: Shpallja e organizatave terroriste në veri u bë pa koordinim me ne

Read Next

Azilkërkuesit fitojnë ‘betejën’ gjyqësore me autoritetet britanike: Ruanda “nuk është një vend i tretë i sigurt”