Festa e madhe në Paris pas triumfit të Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve është shoqëruar me kaos dhe tensione të shumta pranë stadiumit “Parc des Princes”, ku mijëra tifozë ishin mbledhur për të ndjekur ndeshjen në një ekran gjigant.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momente paniku me turma që vraponin mes shpërthimeve dhe ndërhyrjeve të policisë. Për të kontrolluar situatën, forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës.
Sipas mediave franceze, rreth 5.400 efektivë policie dhe xhandarmerie u mobilizuan për ruajtjen e rendit, ndërsa të paktën 294 persona u arrestuan për shkak të sjelljeve të dhunshme dhe trazirave.
Një incident i rëndë ndodhi menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, kur një automjet që po lëvizte me shpejtësi përplasi katër persona në mes të turmës, përfshirë dy djem 17-vjeçarë, një vajzë 23-vjeçare dhe një grua 46 vjeçe. Të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shoferi tentoi të largohej, por u ndalua dhe arrestua pak minuta më vonë nga policia.
Autoritetet franceze kanë bërë thirrje për qetësi dhe për respektim të rendit gjatë festimeve. /GazetaSinjali/