Ferdonije Qerkezi: 27 vite pritje për më të dashurit e zhdukur

Në Ditën e të Pagjeturve, më 27 prill, rrëfimet e familjarëve që jetojnë me mungesën e më të dashurve rikthejnë vëmendjen te një nga plagët më të rënda të pasluftës në Kosovë. Nga Gjakova, nëna Ferdonije Qerkezi vazhdon të presë prej 27 vitesh lajme për bashkëshortin dhe dy djemtë e saj të zhdukur gjatë luftës.

Ajo rrëfeu se çdo ditë për të nis me kujtime dhe mall, ndërsa shpresa për zbardhjen e fatit të tyre mbetet e gjallë.

“Shumë vështirë u bënë 27 vjet e mos me më dalë bashkëshorti dhe dy djemtë, Armendi dhe Ardiani. Djali i madh, Artani, dhe më i vogli, Edmondi, janë gjetur. Kjo ma ka lehtësuar pak zemrën, por jo plotësisht derisa të dihet fati i bashkëshortit dhe dy djemve të tjerë”, tha ajo.

Shtëpia e saj është shndërruar në një muze kujtese, ku fotografitë dhe sendet personale mbajnë gjallë praninë e atyre që mungojnë.

Çerkezi theksoi se institucionet kanë bërë përpjekje për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por sipas saj nevojitet më shumë angazhim dhe punë e vazhdueshme. Përkundër dhimbjes së madhe, ajo gjen forcë për të qëndruar e fortë dhe për të mos u dorëzuar. /RTKlive

Read Previous

Osmani: 27 prilli mbetet plagë e hapur, kërkohet drejtësi për të pagjeturit

Read Next

Haradinaj: Plagët e luftës nuk mbyllen pa u zbardhur fati i të pagjeturve