Fenomeni i vetëlëndimeve nga TikTok-u prek edhe Kamenicën

Fenomeni i rrezikshëm nga “TikTok” i vetëlëndimit, pas Gjakovës ka prekur edhe komunën e Kamenicës.

Të premten në këtë komunë nga Drejtoria e një shkolle të mesme të ulët janë raportuar rastet e para.

Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ai tha se disa nxënës të një shkolle në fshatin Koretin, kanë provuar ta lëndojnë vetën.

“Ju njoftoj se me datë 11.10.2024 rreth orës 14:00, policia e Kosovës është njoftuar nga Drejtoria e një Shkolle të mesme të ultë në Koretin komuna Kamenicë se në këtë shkollë disa nxënës të klasave të teta dhe nënta kanë provuar të lëndojnë vetën shkak sfida e rrjeteve sociale në Tik-Tok. Policia e Kosovës njësia e hetimeve kanë dalë në vendin e mgjarjes. Nuk raportohet për të lënduar, prokurori ka urdhëruar që të mbete shenim zyrtar”, tha Hashani.

Klankosova.tv ka kontaktuar edhe me drejtorin e Arsimit në Komunën e Kamenicës, Afrim Dervishin, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje.

Para Kamenicës, edhe në Gjakovë ka pasur diku rreth 20 raste të këtij fenomeni të rrezikshem.

Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Eranda Kumnova-Baçi, pati thënë se kanë ndaluar përdorimin e telefonave nëpër shkolla, si një preventivë për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të këtij fenomeni të rrezikshëm.

Ajo bëri të ditur se rastet kanë qenë kryesisht në shkollat e mesme të ulta, kryesisht të nxënëseve të klasave 6 deri 9.

E për rastin, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci. /Klankosova.tv/

Read Previous

VV bojkoton seancën e thirrur nga opozita për ushqimin në FSK

Read Next

FIFA do të hapë dialog për rregullat e transferimeve