Gjatë një vëzhgimi që ekipi i Televizionit Syri ka bërë në mbrëmjën e së martës në barnatoret e qytetit të Gjakovës, kemi mësuar që maksimumi i qëndrimit të tyre të hapura është deri rreth orës 23:00 të natës. Pas këtij orari qytetarët të cilët kanë ndonjë rast urgjent apo nevojë për ndonjë ilaq nuk kanë mundësinë se ku ta blejnë atë.Sepse barnatoret mbyllen.
Ndërkaq, laboratorët u mbyllën diku rreth orës 20:00. Prapa kamerës, farmacistët janë shprehur se një gjë e tillë i vë ata përballë rrezikut. “Nuk mund të qëndrojmë hapur gjatë gjithë natës në punë pasi që ata që paraqiten në orët e vona të natës në barnatore janë përdoruesit e lëndëve narkotike të cilët kanë kërkesa të ndryshme, zakonisht kërkojnë të blejnë shiringa ose medikamente qetësuese”, kështu thonë farmacistët teksa kanë theksuar se kanë qëndruar në punë edhe gjatë natës por që nuk kanë pasur asnjë kërkesë për shitjen e barnave, vetëm kërkesa të përdoruesve të narkotikëve.
Sipas tyre duke e ditur se si mund të jenë veprimet e personave që janë nën ndikimin e lëndëve narkotike dhe rrezikut që ata mund ta kenë e kanë parë të arsyeshme që të mbyllin barnatoret në orën 23:00. Përmes telefonit drejtoresha e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në komunën e Gjakovës, Adelina Shehu-Kola ka thënë për televizionin Syri se me 11 shkurt pra këtë të premtë do të caktohet data e takimit me gjithë farmacistët për të diskutuar për orarin e një barnatore kujdestare.
Kujtojmë që Shehu-Kola në realzimin e kronikës sonë të fundit lidhur me këtë qështje kishte thënë se institucionet shëndetësore në komunën e Gjakovës i mbulojnë të gjitha nevojat e qytetarëve për medikamente.