Lojërat Olimpike “Tokio 2020” vlerësohen shumë të suksesshme për Kosovën. Ndonëse me vetëm 11 sportistë pjesëmarrës, Kosova ka përfunduar goxha lartë në listën e vendeve më të suksesshme. Është e 42-ta, falë dy medaljeve të artave që i kanë fituar xhudistet. Vendin e 42-të, Kosova e ndan me Bahamet që po ashtu i ka dy të arta.
Për Kosovën janë vetëm Lojërat e dyta Olimpike Verore. Debutoi në Rio 2016 kur Majlinda Kelmendi fitoi të artën në xhudo në kategorinë deri 52 kilogramë. Në Rio, Kosova e ka ndarë vendin e 54-t me Fixhin, Jordaninë, Porto Rikon, Singapurin dhe Taxhikistanin.
Tani falë medaljeve të arta të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës është dukshëm më lartë në ranglistë. Distria Krasniqi kishte fituar të artën në kategorinë deri 48 kilogramë në xhudo, ndërsa Nora Gjakova qëndroi në majë të podiumit pas garës në kategorinë deri 57 kilogramë.
Pos në xhudo, Kosova nuk iu afrua medaljeve në sportet tjera.
Më e suksesshmja në Tokio 2020 është SHBA-ja me 39 medalje të arta dhe 113 medalje gjithsej. I ka edhe 41 të argjendta e 33 të bronzta. Kina, që ka udhëhequr deri vonë, e mbyll Olimpiadën me 38 medalje të arta, 32 të argjendta e 18 të bronzta. Pra me 88 gjithsej. Japonia është e treta me 27 medalje të arta dhe 58 gjithsej. Britania e Madhe i ka 65 medalje gjithsej, por prej tyre 22 të arta. Ranglista formohet në bazë të medaljeve të arta dhe për këtë arsye Japonia qëndron më lartë. Madje Komiteti Olimpik i Rusisë ka plot 71 medalje, por vetëm 20 të arta dhe renditet pas Japonisë dhe Britanisë së Madhe.
Falë vlerës së madhe të medaljes së artë, të pakrahasueshme me medaljet e argjendta dhe bronzta, Kosova lë prapa në listë shumë vende që kanë fituar shumë më tepër medalje. Përshembull Ukraina renditet e 44-ta, ndërsa i ka 19 medalje gjithsej. Por ka vetëm një të artë, gjashtë të argjendta e 12 të bronzta. Bjellorusia i ka shtatë medalje – një të artë, tri të argjendta e tri të bronzta. Renditet e 45-a. Vende me sport shumë të zhvilluar janë prapa Kosovës në listë si Rumania, Sllovakia, Afrika e Jugut, Austria, Egjipti, Portugalia, Argjentina, Meksiko, Finlanda e shumë të tjera. Prapa Kosovës është edhe India me mbi një miliard banorë.
Gjithsej 93 vende kanë fituar medalje në Tokio 2020. Vendin e 86-të me nga një medalje të bronztë e ndajnë tetë shtete.
Gjithsej kanë marrë pjesë në Lojërat e Tokios, 206 vende. Pra më shumë se gjysma e tyre nuk kanë fituar medalje./KOHA.