Euro këmbehet me 102.4 lekë, niveli më i ulët që nga muaji gusht

Të gjitha valutat e huaja kanë përjetuar rënie dramatike këtë javë përballë monedhës kombëtare të Shqipërisë.

Sipas kursit të Bankës Qendrore, euro këmbehet 102.43 lekë, duke humbur rreth 1.5 pikë nga java e kaluar. Ky është niveli më i ulët i kursit të këmbimit euro-lek që prej datës 2 gusht, shkruan Euronews.al.

Rënia e euros ka ndikuar edhe tek valutat e tjera që qarkullojnë në tregun shqiptar. Dollari amerikan zbriti në nivelin e 93.9 lekëve, me 1.7 pikë të humbura në kursin e këmbimit. Ndërkohë, paundi britanik ka zbritur në 118 lekë, niveli më i ulët që prej datës 25 korrik.

Nëntori është muaj i pazakontë për luhatje të tilla, por rënia e shpejtë në dy javët e fundit, mendohet se vjen nga qarkullim i madh i monedhës europiane.

Edhe shkëmbimi tregtar i energjisë elektrike, i cili bëhet me euro ka ndikuar në kuotat e sotme të këmbimit.

Oferta e euros dhe kërkesa për lekë në muajt e fundit vlerësohet se është ndikuar edhe nga një tendencë e konvertimit në monedhën vendase të kredive të mbajtura në valutë të huaj. Për shkak të kursit të ulët të këmbimit të euros dhe normave më të ulëta të interesit për kreditë në lekë, shumë huamarrës kanë shfrytëzuar rastin për të konvertuar valutën e kredisë së tyre.

/klankosova/

Read Previous

Kjo është gjendja e disa deponive ilegale të mbeturinave që u pastruan në muajin shtator

Read Next

Moti i keq “pushton” Shqipërinë, në 24 orët e ardhshme priten rrebeshe, qytetet më të rrezikuara