Nënshkruhet marrëveshja për implementimin e projektit “Tregu i përbashkët Kosovë- Shqipëri” në Komunën e Gjakovës. Kështu ka bërë të ditur asamblisti nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, Ali Tafarshiku.
“I lumtur që edhe zyrtarisht sot nënshkruam marrëveshjen për implementimin e projektit “Tregu i përbashkët Kosovë- Shqipëri” në Komunën e Gjakovës. Bashkë me Ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, sot qëndruam në Komunën e Gjakovës, ku u pritëm nga kryetari i Komunës Ardian Gjini, për të filluar edhe zyrtarisht implementimin e një projekti unik në regjionin e Ballkanit, siç është ndërtimi i kompleksit multifunksional në një zonë kufitare, si ajo e Kosovës me Shqipërinë në fshatin Morinë të Komunës së Gjakovës.
Ky projekt do realizohet me lote në dy vitet e ardhëshme dhe marrëveshja e sotme i hap rrugë fillimit të procedurave të prokurimit publik për hartimin e projektit zbatues dhe realizimit të fazës së parë të projektit.
Kjo ide rrjedh prej Forumit të Zhvillimit Rajonal Kosovë- Shqipëri të mbajtur vitin e kaluar në Gjakovë dhe ka për qëllim zhvillimim e zonave kufitare të Veriut të Shqipërisë, Malësisë së Gjakovës dhe zonave të Dukagjinit.“