Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radio Televizionin e Kroacisë (HRT), ka thënë që nëse Kosova dhe Serbia nuk e pranojnë planin tre-pikësht të Bashkimit Evropian, atëherë mund të ketë një krizë edhe më të madhe në veriun e Kosovës.
Diplomati amerikan ka theksuar domosdoshmërinë e mbajtjeve të zgjedhjeve të reja lokale në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë, por me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve lokalë dhe hartimin e draftit për Asocacionin e Komunave me Shumicë Serbe nga Qeveria e Kosovës.
Escobar ndër të tjera ka nënvizuar se kriza e fundit në veriun e Kosovës ka shpërqendruar bashkësinë e organizuar ndërkombëtare nga prezantimi i Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksit të Ohrit (18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse palët nuk e pranojnë planin për qetësimin e situatës nga BE-ja, mund të ketë një krizë edhe më të madhe. Duhet të jem shumë i qartë, ky nuk është një proces evropian. Në Ohër bëhej fjalë për një marrëveshje normalizimi për të krijuar kushte paqësore mes dy fqinjëve armiqësorë sipas rregullave evropiane”, ka thënë ai.
“Besoj se kjo marrëveshje krijon kushtet e duhura për thellimin e integrimit evropian. Ndërkohë janë zhvilluar një sërë veprimesh destabilizuese. Kjo na shpërqendroi nga prezantimi i asaj marrëveshjeje. Ne duhet t’i kthehemi kësaj”, ka shtuar diplomati amerikan.
Ndryshe, qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.
/albanianpost/