Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas vizitës në Beograd në një konferencë për media, ka thënë se Marrëveshja e dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ka shtuar diplomati amerikan, duhet të implementohet, sepse ky mekanizëm, sipas tij, është një çështje e rëndësishme si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën.
“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Ai do të realizohet. Pyetja e vetme është sa shpejt do të ndodhë. Pyetja e dytë, cili model do të zbatohet. Lajçak përmendi disa shembuj të ndryshëm se si funksionon ky lloj Asociacioni në BE, për t’u dhënë pakicave të drejtën e vetëqeverisjes, e cila nuk ndikon në funksionalitetin, nuk nxit tensione dhe ndihmon në afrimin e vendeve. Ne dëshirojmë që njëri prej atyre modeleve të jetë model për Asociacioni”, u shpreh Escobar.”, ka thënë fillimisht ai.
Sipas Escobar, Kosova si asnjëherë më parë është shumë më afër hartimit të statutit të Asociacionit, kjo pasi që ekzekutivi kosovar ka kuptuar se Asociacioni duhet të themelohet.
“Jemi më afër hartimit të statusit të Asociacionit, sepse qeveria e Kosovës më në fund e kupton se kjo duhet të përmbushet. Jemi shumë më afër zbatimit të Asociacionit se në javët e kaluara”, ka shtuar ai.
Escobar ka bërë të ditur se komuniteti ndërkombëtar nuk pret që më 18 mars në takimin e Ohrit të ketë nënshkrim të Marrëveshjes, por që pritshmëria e tyre është progresi.
Kosova dhe Serbia, ka thënë më tej top-diplomati amerikan, duhet të gjejnë mënyra për t’i kapërcyer pengesat që kanë në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe se ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, ka shtuar ai.
Përfitimet e kësaj marrëveshjeje, tha Escobar, janë integrimi më i shpejtë ekonomik, jo vetëm i Kosovës dhe i Serbisë, por i gjithë rajonit.
“Ajo që është ndryshe tani krahasuar me dy vjet më parë është se tani shihni një bisedë reale brenda shteteve në Kosovë dhe Serbi se çfarë do të thotë për Serbinë dhe Kosovën të kenë marrëdhënie paqësore, të parashikueshme dhe konstruktive. Të gjithë në rajon do të përfitonin nga kjo. Është diçka që është reale, nuk është bisedë e rrejshme, sepse po flasim për mundësi reale”, tha Escobar në Beograd.
Ai përsëriti se mundësitë ekonomike janë specifike për Ballkanin Perëndimor, mundësi të cilat do të rriteshin nëse të gjashtë vendet janë në rrugën evropiane. /Albanianpost.com