Escobar kërkon të zbatohet marrëveshja e Ohrit midis Prishtinës dhe Beogradit

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dje ka vizituar Maqedoninë e Veriut, ku ka takuar krerët e këtij shteti dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ky i fundit ka thënë se Kosova ka qenë nder temat kryesore e diskutimit me diplomatin amerikan.

Në profilin e tij në “Facebook”, Ahmeti ka shkruar se çështja e Kosovës ishte shqetësim i përbashkët i tyre.

Kisha kënaqësinë e veçantë të bashkëbisedoj sontë me zv. ndihmës sekretarin e shtetit Amerikan 🇺🇸 z. Gabriel Eskobar. Ndryshimet kushtetuese në vendin tonë dhe zhvillimet në Kosovë ishin temat kryesore të bisedës. Z. Eskobar shprehu mbështetje të plotë për integrimin europian të vendit i cili realizohet nëpërmjet të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa unë theksova gatishmërinë tonë të plotë për ti prirë këtij procesi”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka bërë me dije se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet pa asnjë vonës.

Sipas tij, SHBA-ja është miku më i mirë i Kosovës.

Kosova ishte shqetësim i përbashkët i joni, me ç’rast të dy vlerësuam që Marrëveshja e Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë është historike dhe duhet të zbatohet pa asnjë vonesë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku më i vyer dhe i çmuar jo vetëm i Kosovës, por edhe të gjithë shqiptarëve dhe tërë rajonit, por shqiptarët në veçanti janë mirënjohës për rolin dhe kontributin amerikan për liri, paqe dhe demokraci dhe ky vlerësim i të gjithë neve nuk lëkundët dot”, ka shkruar Ahmeti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër, ishin marrë vesh për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Probleme me Benzema? Sqarohet trajneri i Al Ittihad

Read Next

Konfirmohet ballafaqimi në ‘kafaz’ mes Elon Muskut dhe Mark Zuckerbergut