Erdogan në bisedë telefonike me Trump

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi ditën e hënë një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të cilën e cilësoi si “shumë produktive, gjithëpërfshirëse dhe të sinqertë”.

Në një postim në platformën sociale X, Erdogan deklaroi se gjatë telefonatës u diskutuan një sërë çështjesh me rëndësi të lartë rajonale dhe globale, përfshirë krizën humanitare në Gaza, situatën në Siri, luftën në Ukrainë, tregtinë globale dhe zhvillimet e fundit në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit.

“Telefonata ime me mikun tim të dashur, z. Donald Trump, ishte e frytshme dhe shumë e sinqertë,” shkroi Erdogan, duke shtuar se pret të takohet me të në një të ardhme të afërt.

Presidenti turk bëri të ditur se të dy liderët ripohuan vullnetin e tyre të ndërsjellë për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe marrëdhënieve tregtare.

Gjithashtu, Erdogan shprehu vlerësimin e tij për përpjekjet e Trump për promovimin e paqes dhe përfundimin e konflikteve globale, duke nënvizuar se Turqia është e gatshme të japë kontributin e saj për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

“E shpreha dëshirën për ta pritur mikun tim në Turqi sa më parë. Ai, nga ana e tij, na ftoi në SHBA,” tha Erdogan, duke sinjalizuar për një takim të mundshëm në të ardhmen mes dy figurave politike./Sinjali

Read Previous

Mbyllet Skype

Read Next

Presidentja Osmani dënon vrasjen në Prizren: Nuk është thjesht një krim, është një akt barbar