Elez ​Peci dëshmon për rastin në Banjskë: Sulm ushtarak i financuar nga Serbia

Edhe të enjten, më 12 qershor, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinës ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarëve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit. Para trupit gjykues sot dëshmoi zyrtari policor, Elez Peci i cili tregoi për momentin e shpërthimit në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në gjykatore edhe sot nën masa të larta të sigurisë u sollën tre të akuzuarit që janë në paraburgim, Bllagoje Spasojevuq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Zyrtari policor në Zveçan, Elez Peci tregoi se pasi kishin përfunduar patrullimin e zakonshëm rreth orës 02:30 përmes radiolidhjes janë njoftuar nga ekipi i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë se mbi urën e fshatit Banjskë është barrikaduar rruga me dy kamionë.

Me urdhër të rreshterit tashmë të ndjerë, Afrim Bunjaku, vetë rreshteri, së bashku me Elez Pecin, Fahri Shala e Sadat Dushi me veturën të tipit “Toyota” janë nisur për në Banjskë dhe gjatë rrugës në fshatin Jeshevik kishin hasur në një “Golf 3” të kaltër ku pas kontrollit në ulësen e përparme të tij u gjet një antenë e radiolidhjeve të polici, por meqenëse personi i cili ndodhej në veturë nuk ishte i kërkuar nga zyrtarët policorë, vetëm ia kishin marrë të dhënat dhe e kishin vazhduar për në Banjskë.

Teksa pyetje parashtronte prokurori i rastit, Naim Abazi, zyrtari policor i Kosovës, Elez Peci tregoi se disa minuta pasi arritën në Banjskë ndodhi një shpërthim i madh i pasuar me gjuajte me armë të kalibrave të ndryshëm në formë të “hënës”.

Ai tha se nga zyrtari policor i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë, Mirsad Kryeziu e ka kuptuar se rreshteri Afrim Bunjaku është sulmuar.

“E kam vërejtur se diçka nuk është në rregull, e kam vërejtur se fshati shumë errët, drita shumë rrallë, rruga ku e përshkonim ne shumë ndriçim i fort, kur jeni afruar afër kolegëve tanë të kufirit Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë afër dy-tre metra unë kam thënë kolegë po shpërndahemi është një kurth. Pastaj prapa meje ka ardhur Sadati… Unë kam shkuar dhe jam mbështetur ku është motori për të siguruar vetën, kam vëzhguar, kolegut tim Sadatit i kam thënë përcille rrugën e Izvorit…në atë moment ka ndodhur një detonim shumë i fortë, detonimi ka qenë shumë fortë sa më ka humbur edhe balancin, e kam marrë vetën mirëpo detonimi ka pasuar me të shtëna armësh të kalibrave të ndryshëm”, tha ai.

Meqenëse vetura e ekipit të Njësisë së Ndërhyrjes së nuk ishte ndezur, polici Mirsad Kryeziu kishte vazhduar në drejtim të veturës së zyrtarëve policorë të ardhur nga Zveçani ku e kishte marr veturën dhe ishte afruar afër trupit të rreshterit të ndjerë, Afrim Bunjaku.

Peci ka treguar momente se si e kishin vendosur rreshterin Bunjaku në veturë për të vazhduar drejtë Mitrovicës.

“Fahri Shala më ka thënë ‘Elez a po del ndihmojë, unë po iu mbroj sa të mundem, ishim në distancë mirëpo dëgjoheshim sepse komunikonim me zë. Atëherë kam dalë unë, nuk kishte çka më aty, vdekja shihej me sy edhe me të thënë tërhiqu nuk kishte kah, kam shkuar nga ana e sipërme kam dalë jam munduar nga lartë me tërheqë, nuk kam mundur të arrij se Toyota lartë dhe pajiset dhe kam dalë jashtë e kam ngritur rreshterin e ndjerë dhe e kam vendosur në gju… Ia kam futur duart për ta tërhequr ndër krahë… më janë nxehur duart, kur më janë nxehur duart e kam ditur që është gjak dhe i kam larguar kam thënë mos e po e lëndon, antiplumbi jonë i ka kaishat lartë dhe për kaisha e kam tërhequr për lartë“, theksoi ai.

Ky zyrtar policor në gjykatore deklaroi se sulmi terrorist në Banjskë ishte ushtarak dhe i financuar për armatim nga Serbia.

Gjatë dëshmisë së tij, foli edhe për personat si Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, duke i përshkruar si figura të kryesore në strukturat paralele në veri të Kosovës.

“Pjesën ku kam qenë unë ka qenë lumi Banjska, andej lumit kanë qenë disa gypa të betoni prej asaj pozite kanë gjuajtur në drejtim tonin, ka pasur në atë vend, ka pasur sulmues shumë afër aty mundet me qenë 10-15 metra… Mirëpo, ka pasur edhe të tjerë dhe armë të rënda ka pas tek manastiri atje… Sulmi që ka ndodhur ndaj nesh është sulm tipik ushtarak, i trajnuar fort mirë, nuk jam ballafaquar asnjëherë në jetën time me atë sulm, besa i financuar shumë mirë, armatimi që ka qenë nuk mundet me u ble në treg, ai armatim është i financuar direkt nga Serbia… Personat si Radojçiq dhe Zvenko Veselinoviq në pjesën veriore kanë qenë gjithçka. Ata kanë pasur aq strukturë të organizuar si çdo herë kanë qarkulluar me përcjellje të vetë“, theksoi ai.

Koordinuesi i njësive në stacionin policor në Zveçan, Elez Peci thotë se nga sulmi terrorist në Banjskë, që ndodhi në shtator të 2023-ës nuk mori lëndime trupore por shpirtërore, sepse humbi rreshterin e tij, Afrim Bunjakun.

“Unë si zyrtar policor jam shumë, shumë i lënduar shpirtërisht, normal edhe me humbjen e heroit kombëtar, rreshterit, Afrim Bunjaku. Normal atë natë nuk kam pasur lëndime nga të shtënat me armë zjarri, mirëpo emocionalisht dhe shpirtërisht jam shumë i lënduar dhe e ndjej vetën si palë të dëmtuar në këtë rast”, tha ai.

Në këtë seancë pyetje për dëshmitarin e PSRK-së, Elez Peci, pati edhe avokati i të akuzuarit Vladimir Toliq, Millosh Deleviq, por jo edhe mbrojtja e dy të akuzuarve të tjerë.

Ndërsa, pyetje parashtroi edhe kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.

Në sesionin e pasditës në seancën e sotme në rastin “Bansjka” është dëgjuar edhe zyrtari policor, Avni Shala.

Dje është dëgjuar zyrtari policor i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejt, Mirsad Kryeziu i cili tha se ky sulm ka qenë i organizuar ushtarak dhe se edhe armët e përdorur kanë qenë të artilerisë së lehtë dhe të rëndë.

Prokuroria Speciale e Kosovës më njëmbëdhjetë (11) shtator (dymijenjëzetekatër) 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, raporton KosovaPress.

Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.

42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radoiçiq, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati. /KosovaPress/

Read Previous

Benfica: Klubi i parë me dyqan me inteligjencë artificiale

Read Next

Alexander-Arnold prezantohet si lojtar i Real Madridit