Eksperti: Ja pse Ardon Jashari është në radarët e klubeve elitare evropiane

Paraqitjet e shkëlqyera të Ardon Jasharit me Club Bruggen gjatë sezonit të fundit në kampionatin belg dhe në Ligën e Kampionëve kanë bërë që emri i tij të përmendet gjithnjë e më shumë në mesin e klubeve të mëdha evropiane.

Sipas një analize të publikuar nga analisti belg Andy Mulders për “Voetbal Primeur“, mesfushori shqiptar është në radarët e skuadrave si Manchester City, Paris Saint-Germain dhe AC Milan.

Jashari ka luajtur plot 4.132 minuta në 52 ndeshje zyrtare këtë sezon, duke shënuar katër gola dhe duke dhuruar gjashtë asistime.

Ai u vlerësua për saktësinë e lartë të pasimeve (88.4%) dhe për aftësinë e tij për të ruajtur qarkullimin e topit nën presion.

Statistikat tregojnë gjithashtu një mesatare prej 10 kilometrash të vrapuara për ndeshje – një tregues i qartë i kondicionit fizik dhe përkushtimit të tij në fushë.

Mulders thekson se Jashari është një mesfushor me cilësi të rralla: i qetë me topin, me disiplinë pozicionale dhe me një vizion të thellë taktik. Ai madje e krahason me Sergio Busquets për stilin e lojës dhe rolin në organizimin e skuadrës.

“Siguria teknike, forca fizike, depërtimi taktik dhe etika e lartë e punës e bëjnë atë një ‘numër 6’ modern – një profil që gjithnjë e më shumë klube të mëdha po e kërkojnë,” shkruan Mulders, duke shtuar se mesfushori i Kosovës ka ende hapësirë për përmirësim, sidomos në efikasitet dhe disiplinë, pasi këtë sezon ka shënuar vetëm katër gola dhe është ndëshkuar me tre kartonë të verdhë.

Jashari, i cili është vetëm 22 vjeç, iu bashkua Club Bruggen në verën e vitit 2024 nga Luzerni për 6 milionë euro.

Sot, vlera e tij në tregun e transferimeve është rritur në 32 milionë euro, ndërsa kontrata e tij me klubin belg është e vlefshme deri në vitin 2029. /Telegrafi/ 

Read Previous

Milani bën ofertën e parë zyrtare për Ardon Jasharin

Read Next

Rusia: E vështirë të konstatohet nëse armëpushimi Izrael-Iran do të zgjasë