Ekspertët: Kosova do t’ia dalë e do të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës

Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës sot pritet të votohet për anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare shprehen optimistë se Kosova do ta kalojë edhe këtë fazë për të qenë më afër anëtarësimit.

Në qoftë se votimi i sotëm është i suksesshëm, i njëjti raport do të procedohet te Komiteti i Ministrave, takim i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2024.

Nëse Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës voton sot pro anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës atëherë Kosova do të jetë vetëm një hap para anëtarësimit. Për këtë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare shprehen optimistë se Kosova do ta kalojë edhe këtë fazë për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

Profesori universitar, Afrim Hoti, i ka thënë Radio Kosovës se megjithëse në kohët e fundit ka pasur një fushatë të ashpër të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, shpreh optimizmin e tij se Kosova do t’ia dalë që të bëhet anëtare në Këshillin e Evropës.

“Nëse kemi parasysh rrethanat nëpër të cilat ka kaluar vendi dhe plotësimin e kritereve të cilat kanë qenë të suspenduara këtu e tetë vite më parë, unë dua të besoj që Kosova do t’ia dalë dhe do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, ka theksuar Hoti.

Abit Hoxha, ligjërues dhe hulumtues në Universitetin e Agder në Norvegji, tha se Kosova i ka shpresat reale që kësaj here të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

“Kosova ka shans që vërtet kësaj here që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, nëse e ka kryer  punën e saj diplomatike në rrafshin ndërkombëtar me miqtë dhe me ato shtet që kanë shfaqur rezerva për votimin e Kosovës”, ka thënë Hoxha.

Asambleja Parlamentare i ka 46 shtete anëtare me gjithsej 302 anëtarë plus 306 zëvendësues. Janë 34 shtete që na kanë njohur, ndërsa 14 që nuk na kanë njohur. Në qoftë se votimi është i suksesshëm, i njëjti raport do të procedohet te Komiteti i Ministrave, takim i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2024. /RTK/

Read Previous

Sa gjoba u shqiptuan nga Policia e Kosovës në 24 orët e fundit?

Read Next

Votimi për Kosovën në Asamblenë e KiE, Kuvendi i Kosovës del me një njoftim