Votimi për Kosovën në Asamblenë e KiE, Kuvendi i Kosovës del me një njoftim

Sesioni me rëndësi historike për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Këtë javë, nga 15-19 prill 2024 po zhvillohen punimet e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), në Strazburg. Tema e rëndësishme e këtij sesioni të APKE do të jetë debati dhe votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sot, me 16 prill 2024, në pjesën e sesionit të pasdites, do të zhvillohet debati për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në këtë sesion, marrin pjesë anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në APKE, Saranda Bogujevci, kryesuese, Arben Gashi dhe Enis Kervan, anëtarë, si dhe Ariana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, zëvendësanëtarë.

Në APKE po qëndron edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës dhe Zv. Kryeministrja, znj. Donika Gërvalla dhe Zv. Ministri i MPJD, z. Kreshnik Ahmeti.

Në sesion, fillimisht, raportuesja për Kosovën, znj. Theodora Bakoyannis, do ta prezantojë raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës për anëtarësim dhe mepastaj do t’i jepet fjala anëtarëve të tjerë, përfshirë anëtarët e delagacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE.

“Pas debatit, raporti do të hidhet në votim ku kërkohen 2/3 e votave për miratim dhe më pas do t’i përcillet Komitetit të Ministrave për votim. Komiteti i Ministrave do të mbahet me 16-17 maj 2024. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës. /RTK/

Read Previous

Ekspertët: Kosova do t’ia dalë e do të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës

Read Next

Gjuajtja me armë në Gjakovë, zbulohen detaje