Shkrimi i Corriere della Sera
Fiton mes shqiptarëve brenda vendit dhe diasporës, mban zonat e jugut dhe qendrës dhe thuajse pushton edhe veriun, bastionin e opozitës. Edi Rama siguron edhe katër vite të tjera në drejtimin e Shqipërisë. Lideri i Partisë Socialiste, tashmë kryeministri me jetëgjatësinë më të madhe në demokracinë e Ballkanit, do të betohet në shtator për mandatin e tij të katërt radhazi.
Vota popullore — ende në proces numërimi më shumë se një ditë pas mbylljes së kutive të votimit — i jep deri tani një mazhorancë absolute prej 82 mandatesh në Kuvendin me 140 vende, me mundësi për të shtuar më tej. Ndërkohë, Sali Berisha fiton rreth 50 mandate me Partinë Demokratike të qendrës së djathtë.
Mbrëmjen e djeshme, pas shumë telefonatash urimi, Rama u përgjigj për Corriere della Sera:
A e prisnit një rezultat kaq të qartë pas 12 vitesh në pushtet?
Edi Rama: “Sinqerisht, po. Sepse kemi punuar shumë për ta arritur, duke folur me fakte, duke treguar qartë rrugën për Shqipërinë e fëmijëve tanë, duke investuar te rinovimi i gjeneratave te listat, ku kemi promovuar shumë gra, dhe duke organizuar partinë për një lojë të madhe skuadre në terren.”
Pse shqiptarët zgjodhën sërish PS-në?
Edi Rama: “Sepse kemi ndryshuar Shqipërinë me një vizion të qartë dhe një këmbëngulje të madhe. Njerëzit nuk janë budallenj, siç mendojnë shumë politikanë; ata dinë të dallojnë mes atyre që punojnë me seriozitet për të ardhmen e vendit dhe atyre që merren vetëm me retorikë shkatërrimtare. Edhe ne kemi bërë gabime, për të cilat kemi kërkuar ndjesë. Por nuk jemi ndalur kurrë, nuk jemi fshehur, nuk jemi dorëzuar përballë vështirësive. Kemi ngritur një komb të tërë dhe e kemi bërë krenar për emrin e tij.”
A tregon ky rezultat edhe mungesën e një opozite të vërtetë?
Edi Rama: “Unë besoj se ne nuk fitojmë sepse opozita humb, por sepse shqiptarët besojnë në rrugën që po ndjekim bashkë.”
Çfarë kuptimi ka për ju vota e diasporës, që zgjodhi shumicën për ju dhe partinë tuaj?
Edi Rama: “Më emocionon sinqerisht. Kush jeton jashtë ka një vizion më të gjerë dhe është më kërkues. Nuk voton për nostalgji, por për vlerësim. Është një votë besimi nga ata që kanë lënë vendin, por jo Shqipërinë. Dhe nëse diaspora na beson, do të thotë se po transmetojmë një imazh që i bën ata krenarë.”
A jeni kontaktuar me kryeministren Meloni? Ju ka uruar?
Edi Rama: “Po, më shkroi një mesazh si motra për vëllanë.”
Çfarë do të bëni gjatë katër viteve të ardhshme në qeveri?
Edi Rama: “Do të përfundojmë kantierin e madh evropian të Shqipërisë. Qëllimi ynë është të mbyllim negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027. Ndërkohë, do të vazhdojmë të modernizojmë vendin, duke forcuar shtetin ligjor dhe ekonominë, duke mbështetur familjet dhe duke bërë të pakthyeshme transformimin e vendit në të gjitha drejtimet. Çdo ditë, me përulësi dhe vendosmëri.”
Ju thoni se Shqipëria do të anëtarësohet në BE në vitin 2030. Disa ekspertë mendojnë më vonë. Çfarë u thoni atyre?
Edi Rama: “U them që ekspertët shpesh kanë të drejtë, por nuk kanë ndryshuar kurrë rrjedhën e historisë. Këtë e ndryshojnë popujt dhe udhëheqjet e vendosura. Nuk bëj parashikime, flas për objektiva, dhe në këtë rast për një objektiv të përbashkët me Brukselin. Dhe Shqipëria, nëse vazhdon të bëjë detyrat si deri tani, do të jetë plotësisht gati në 2030-ën.”/tvklan.al