Edi Rama: Duam mandat të fortë që mos të luhatet procesi i integrimit

Në rubrikën “Sy m’sy” kryeministri Edi Rama tha se zgjedhjet e 11 majit janë vendimtare për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Kreu i qeverisë theksoi se synohet që të përmbyllet procesi i negociatave në fund të vitit 2027, duke shtuar se do të jetë “rekordi i rekordeve”.

“Të futesh në BE do të thotë të kesh bërë një shtet me institucione që funksionojnë. Në atë rrugë jemi, atë po bëjmë, prandaj nuk bëhej fjalë fare deri 10 vite më parë, pasi nuk ishim shtet por ishim një rrumpallë”, u shpreh Rama.

“Nuk ka rëndësi kur më mbaron mandati mua, rëndësi ka të mbyllim negociatat në 2027 dhe në 11 maj të gjithë duhet të fokusohen tek negociatat dhe jo tek partitë, për të mos pasur asnjë ditë të humbur me negociatat. 1000 vetë punojnë për negociatat, janë 40 skuadra që punojnë për negociatat në të gjithë rrafshin e punëve të shtetit. Ata duhet të garantojnë që negociatat mbyllen në vitin 2027 dhe ne duhet të bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë që të mbyllim negociatat. PS është forca e duhur në vendin e duhur, në kohën e duhur, siç ishte PD në ’92, forca e duhur në kohën e duhur. Për të mbyllur historinë e një sistemi dhe për të hapur historinë e re të Shqipërisë me votën e shqiptarëve”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se vota e 11 majit është për interesin e Shqipërisë, jo për interesa partiake. Rama theksoi se PS duhet të marrë një mandat të fortë që procesi i integrimit të mos ketë luhatje.

“Kështu që, siç u bë me TikTokun, çfarë ndodhi me TikTok-un. Kur ne bëmë këshillimin e gjerë me 65 mijë prindër dhe mësues 95 % e tyre thanë të mbyllet. Tani patjetër që 95 % e prindërve dhe mësuesve nuk janë socialist, larg qoftë janë shumë më pak dhe një pjesë e mirë e tyre nuk votojnë për ne, një pjesë e tyre janë akoma nën efektin e kënetës, por ama kur erdhi puna të fëmijët as nuk pyetën fare që Edi Rama po thotë të mbyllim TikTok-un, jo s’kemi për ta mbyll TikTok-un meqë e thotë Edi Rama. Po thanë të mbyllet, sepse fëmijët i vunë përpara politikës, interesin e fëmijëve e vunë përpara tifozllëkut partiak, ky është 11 maj, fiks ky është 11 maji”, u shpreh Rama.

“Interes i Shqipërisë është përpara tifozllëkut partiak, nuk ka pikë rëndësie e do, s’e do Edi Ramën, të pëlqen, s’të pëlqen Edi Rama! Edi Rama është tani në këtë moment këtu dhe unë dhe Partia Socialiste ta garantojmë që mbyllim negociatat dhe hyjmë në Bashkimin Europian për të gjitha llojet e niveleve që kemi arritur të  kemi në raportin me Europën, që nga nivelet shtetërore, te nivelet qeveritare, tek nivel institucionale, te nivelet personale, personale. Nuk ka pasur asnjë udhëheqës Shqipëria që udhëheqësit e tjerë të Europës t’i ketë në celularin e vet, nuk ka pasur. Po kjo është një histori për libra, nuk është për tu treguar për sa kohë unë jam në detyrë, nëse ndonjëherë do ta tregoj, atëherë do ta tregoj, po nuk ka rëndësi, pra pse e them këtë? Sepse nuk duhet të kemi asnjë luhatje tani dhe këtu nuk është çështja a do të fitojë Partia Socialiste artimetikisht, pra do të marrë Partia Socialiste 71 deputetë, Partia Socialiste nuk diskutohet, çështja është që Partia Socialiste të marri një mandat të fortë që mos të ketë më asnjë luhatje procesi dhe mos t’i dali njeri përpara negociatave, mos ti dali njeri përpara Bashkimit Europain. Pastaj s’jam unë në 2029, mbaron mandati im në 2029 kemi kryer punë ne, kemi kryer punë”, tha ndër të tjera Rama. /ATSH/

Read Previous

Shtatë vjet nga ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi

Read Next

​Dita Botërore e Sindromës Down