Edhe pas 24 shtatorit BE me kërkesa të njëjta – Krejt çka ndodhi në vizitën e “Pesëshes së Madhe”

Sollën plan të ri, s’pranuan kushte e vonesa, mohuan pretendimet se Miroslav Lajçak mban anën e Serbisë, sulmi terrorist s’do ta ndryshojë rrjedhën e dialogut, ripërsëriten kërkesën për themelimin e Asociacionit, kërkuan që Serbia të bashkëpunojë pa kushte për sjelljen para drejtësisë së terroristëve, njoftuan vazhdimin e takimeve të rëndësishme në Bruksel.

Këto ishin detajet më të rëndësishme që delegacioni evropiano-amerikanë, i quajtur ndryshe si “pesëshja e madhe”, i përcjelli në vizitën e së shtunës në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për të bindur palët që të zbatojnë atë për çfarë kanë rënë dakord në Bruksel dhe në Ohër.

Vizita e top-delegacionit perëndimor udhëhiqej nga i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili pranë vetes, për të dytën herë me radhë, kishte amerikanin Gabriel Escobar dhe këshilltarët, atë francez Emmanuel Bonne, gjermanin Jens Plotner dhe italianin Alessandro Cattaneo.

Vendndalesa e parë e tyre do ishte Prishtina.

Aty, në objektin e Qeverisë së Kosovës, pak pas orës 10:00, do t’i priste shefi i saj, kryeministri Albin Kurti. Me Kurtin, “pesëshja e madhe” do të qëndronte pak më shumë se një orë.

Pasi e përfunduan me Kurtin, Lajçak, Escobar, Bonne, Plotner dhe Cattaneo, pas orës 14:00, do t’i shkonin në zyrë Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili para se t’i takonte, dramatizoi situatën, duke thënë se s’ka fjetur “me natë të tërë”, për shkak të këtij takimi.

Ajo çka u pa qartë në këtë vizitë është fakti se, përkundër se krerët e institucioneve të Kosovës kishin thënë se pas 24 shtatorit ka ndryshuar gjithçka sa i takon dialogut, perëndimorët bënë me dije se ka ndryshuar vetëm nevoja për t’u zbatuar pikat e marrëveshjes sa më parë, duke filluar nga Asociacioni.

Por, kush çka tha konkretisht?

Kryesuesi i delegacionit, Miroslav Lajçak, do të ishte i pari që do të fliste.

Pasi përfundoi takimin me Kurtin, në një konferencë për media para gazetarëve të shumtë që ishin mbledhur për ta dëgjuar atë se çfarë do të thotë në hyrje të objektit të qeverisë, ai tha se pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit nuk ndryshon asgjë në raport me procesin e dialogut dhe se Kurti ka përgjegjësi të bëjë progres në normalizimin e raporteve me Serbinë.

E ky progres, sipas diplomatit sllovak, nënkupton formimin e Asociacionit.

Lajçak ishte i prerë kur pohoi se është i papranueshme çfarëdolloj kushtëzimi apo vonese në procesin e bisedimeve, sidomos pas ngjarjeve të 24 shtatorit.

“Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajçak.

“Kurti ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian. Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër”, shtoi.

Pa këtë, paralajmëroi diplomati sllovak, “s’do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës”.

Lajçak, ndër të tjera, ka çmuar gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet në këtë drejtim, ndërsa ka pranuar se në Prishtinë kanë ardhur me një plan.

“Erdhëm me një plan, e diskutuam me Kurtin dhe do ta diskutojmë edhe me Vuçiç-in. S’do të japë detaje”.

Përgjigje ndaj akuzës se mban anën e Serbisë

Gjatë konferencës për media në Kosovë, Lajçak, iu përgjigj edhe pretendimeve të kryeministri Kurti se i njëjti po e mban anën e Serbisë.

Ai për këtë çështje, përgjigjen e kishte më të lehtë.

Këshilltari kryesor i Kancelarit të Gjermanisë për diplomaci, Jens Ploetner, i gjendur në anën e djathtë të Lajçak-ut – duke ia pohuar me kokë të gjitha ato që po i thoshte emisari i BE-së – në momentin e pyetjes për akuzat e Kurtit, lëvizi dorën majtas dhe djathtas drejt atyre që shoqëronin emisarin, për të treguar kështu që Lajçak është i rreshtuar nga BE-ja dhe ShBA-ja.

“Jam në anën e Bashkimit Evropian”, tha Lajçak.

Mesazhet e Lajçak-ut nga Beogradi

Nga Beogradi, i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, dha mesazhet e njëjta, me disa detaje shtesë.

Në konferencën për media në Beograd, ai njoftoi se dialogu Kosovë-Serbi do të jetë “temë e diskutimit në takimin e krerëve të diplomacisë së BE-së të hënën”, dhe se më vonë do të diskutohet edhe në Këshillin e BE-së.

“Kjo vizitë do të ndikojë në ato diskutime”, tha Lajçak.

Po ashtu, emisari bëri me dije se bisedimet ndërmjet përfaqësuesve evropianë dhe amerikanë me Kurtin e Vuçiç-in do të vazhdojnë ditëve në vijim.

Lajçak, edhe në Beograd, dënoi sulmin terrorist dhe kërkoi bashkëpunim pa kushte nga Serbia.

“Të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë nga Serbia”, shtoi.

Njoftimi i Qeverisë së Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, e as zëvendësi i tij, përgjegjës për dialogun, Besnik Bislimi, nuk njoftuan fare përmes kanaleve të tyre në rrjetet sociale e gjetiu për takimin me “pesëshen e madhe”.

Njoftimi për takimin do të bëhej përmes një komunikatë të lëshuar për media nga qeveria. Aty thuhej se Kurti në takim me diplomatët evropiano-amerikan ka theksuar faktin se për Kosovën, në këtë fazë, prioritet kryesor dhe çështje urgjente është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, citohet të ketë thënë Kurti.

Në takim, bënë të ditur komunikata, është biseduar edhe për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, u tha aty.

Deklarimet e Vuçiç-it para dhe pas takimit

Para takimit, në një prononcim për media, Vuçiç tha se më vonë e pret një ditë të vështirë atë dhe Serbinë, meqë e di se çfarë do të sjellin “Pesëshja e madhe”.

Vuçiç, i cili rëndom viktimizohet, i ka thënë gazetarëve, se me natë të tëra nuk ka mundur të flejë duke menduar takimin e 21 tetorit.

“Nuk e di nëse do të bërtas apo do të qaj nga dhimbja, por do të kemi sukses që Serbinë të mos ia bëjmë dhuratë askujt, por ta bëjmë tonën”, ka thënë Vuçiç.

Vuçiç theksoi se do të luftojë me të gjitha forcat e tij “sado të fortë të jenë” diplomatët perëndimor, duke premtuar se do ta mbrojë Kosovën dhe popullin serb në Kosovë.

“Po vijnë të mëdhenjtë, të fortët, më të fortët dhe më të fuqishmit. Serbia është një vend i vogël. Ne duhet të mbrojmë njerëzit dhe fëmijët dhe unë mund të premtoj se ata do ta mbrojmë Serbinë”, theksoi.

Pas kësaj drame, kur doli nga takimi me “pesëshen e madhe”, bisedimet me ta, presidenti serb i cilësoi si “të vështira”.

“Besoj se në periudhën e ardhshme do të gjejmë një rrugëdalje nga kriza”, shkroi Vuçiç shkurtimisht në llogarinë e tij në Facebook.

Ai paralajmëroi edhe takime, të cilat i ka quajtur si të rëndësishme, në Bruksel në ditët në vijim.

Ndryshe, vizita në Kosovë dhe Serbi e grupit që njihet si “Pesëshja e madhe” është e para që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit kundër Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit.

Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç, ishin takuar për herë të fundit në një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, më 14 shtator.

Në atë takim, ata kishin dështuar që të pajtoheshin për një plan për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë, të dakorduar fillimisht në Bruksel dhe e përforcuar me aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Për këtë, BE-ja ia kishte lënë përgjegjësinë palës kosovare, ndonëse kishte thënë se të dyja palët kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e arritur në dialog.

Ndërkohë, 10 ditë më vonë, pra më 24 shtator, një grup terroristësh serbë të armatosur rëndë, sulmuan Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre terroristë.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin duke theksuar se Beogradi zyrtar tentoi ta “aneksojë tërë Veriun e Kosovës”.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Vuçiç – i cili dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

/albanianpost/

Read Previous

UNICEF: Uji që u dërgua në Gaza i mjafton 22 mijë njerëzve vetëm për një ditë

Read Next

Vdiq skulptori Luan Mulliqi