Vera e Paulo Dybala ishte mjaft e turbullt dhe e përfolur. “Joya” dukej se duhej ta linte Romën dhe Europën për t’u bashkuar me arabët e Al Qadsiah, por në fund asgjë nuk doli prej këtij operacioni merkatoje. Dëshira e lojtarit argjentinas për të mos braktisur Serie A dhe kombëtaren e tij ishte shumë e fortë.
Një zgjedhje që duket se ka dhënë rezultat, duke qenë se vuri nënshkrimin e tij në fitoren 3-0, me të cilën Argjentina mposhti Kilin në ndeshjen kualifikuese për Botërorin e ardhshëm. E bëri këtë me ‘10’ mbi supe, meqë mungonte Messi.
“Një nga arsyet pse nuk shkova në Arabinë Saudite është pikërisht sepse doja të kthehesha me fanellën e Argjentinës, – tha Dybala pas ndeshjes për “TycSports”. – Ndihem i ri, jam mirë fizikisht dhe dua të vazhdoj të luftoj në të dyja frontet: me Romën dhe kombëtaren. E di që nuk është e lehtë, sepse konkurrenca është shumë e lartë, ka shumë lojtarë me dëshirë për të fituar. Kur është radha ime, jap 100%”. /Telesport.al/