Dy vjet luftë kundër Rusisë, G7 vjen me një mesazh të fuqishëm për Ukrainën

Liderët e G7 kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për luftën në Ukrainë.

Ata thonë se Kievi mund të llogarisë në mbështetjen e tyre “për aq kohë sa duhet” për të mposhtur Vladimir Putinin, shkruajnë mediat e huaja.

“Ne mbetemi të bindur se mund të sigurojmë që populli i Ukrainës të mbizotërojë në luftën për të ardhmen e tij dhe të ndihmojë në krijimin e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme”, kanë thënë ata.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje dhe të përsërisim angazhimin tonë për sigurinë afatgjatë të Ukrainës”.

Një pjesë e kësaj mbështetjeje do të përfshijë ndihmën e Ukrainës për të përmbushur “nevojat urgjente të financimit” dhe vazhdimin e degradimit të burimeve të të ardhurave të Rusisë.

“Ndërsa Ukraina hyn në vitin e tretë të kësaj lufte të pamëshirshme, qeveria dhe njerëzit e saj mund të llogarisin në mbështetjen e G7 për aq kohë sa të duhet”, përfundon deklarata.

Udhëheqësit kanë kujtuar edhe Alexei Navalny – një kundërshtar kryesor i Putinit i cili vdiq papritur në burg më shumë se një javë më parë – dhe i kërkuan qeverisë ruse që të “sqarojë plotësisht” rrethanat rreth vdekjes së tij.

Kujtojmë G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Bashkimi Evropian është quajtur anëtari i tetë i grupit sepse mban privilegjet dhe detyrimet e anëtarësimit, por pa të drejtën për të pritur një samit.

Ata kanë takuar edhe presidentin Volodymyr Zelensky për të riafirmuar mbështetjen e tyre për Kievin. /Telegrafi/

Read Previous

Të hënën nisin punimet intensive në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

Read Next

Dita e Kosovës: Dardanët luajnë në udhëtim te Azerbajxhani