Dy të vdekur nga aksidenti i mbrëmshëm në Leposaviq, një tjetër në gjendje të rëndë

Si pasojë e një aksidenti të rëndë komunikacioni që ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Leposaviq, dy persona kanë humbur jetën, dhe një tjetër është në gjendje të rëndë.

Lajmin nga Policia e Kosovës e kanë konfirmuar për “Kossev”, ku kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur pasi dy makina janë përplasur kokë me kokë, dhe se personat e vdekur janë të moshës 25-vjeçare.

Siç raporton “Kossev”, pesë minuta pas mesnate, ky aksident ka ndodhur, siç dyshohet sipas rezultateve paraprake të hetimeve, kur një automjet i markës “Audi” me targa të Beogradit ka kaluar në shiritin e kundërt të trafikut dhe është përplasur drejtpërdrejt me një automjet “Peugeot”, i cili po lëvizte në korsinë e tij.

Drejtuesit e të dy makinave kanë vdekur si pasojë e plagëve të rënda.

Bëhet fjalë për personat me inicialet MB (1999) dhe Gj.M. (1999), kurse trupat e tyre janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Lëndime të rënda ka pësuar edhe një burrë tjetër, i cili ndodhej në sediljen e pasagjerit të njërës prej makinave.

Bëhet fjalë për personin me inicialet M.L, i cili mbrëmë është transferuar me urgjencë në spitalin e Mitrovicës dhe siç thotë policia, i njëjti ishte në gjendje të rëndë. /Albanianpost.com

Read Previous

Taravari: Nëse s’i fitoj zgjedhjet, tërhiqem nga politika

Read Next

NJË JETË NË NJË ORË: Elida Shasivari