Dronët shpërthejnë mbi Moskë

Një sulm masiv me dronë nga Ukraina goditi zemrën e Rusisë natën e së martës, duke shkaktuar alarm dhe kaos në Moskë. Si pasojë, fluturimet në dy nga aeroportet kryesore të kryeqytetit, Vnukovo dhe Zhukovsky u pezulluan përkohësisht.

Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se 112 dronë ukrainas kanë synuar gjashtë rajone të ndryshme të vendit. Megjithatë, autoritetet ruse pretendojnë se shumica e tyre janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore.

Në anën tjetër, Rusia nuk qëndroi duarkryq. Një tjetër valë sulmesh me dronë goditi qytetin Kharkiv në Ukrainë, duke lënë të plagosur të paktën tetë persona, mes tyre edhe një fëmijë, sipas guvernatorit rajonal.

Forcat ajrore ukrainase lëshuan alarme për sulme ajrore në disa rajone, përfshirë Kiev, Odesa, Sumy dhe Kharkiv.

Sulmet ndodhën pak orë pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, i cili akuzoi Vladimir Putinin se “po luan me zjarrin”. Por Rusia nuk u ndikua nga komentet e Trump dhe vazhdoi ofensivën.

Në sfondin e përshkallëzimit të luftimeve, pritet që presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të vizitojë Berlinin të mërkurën. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur mbështetje më të fuqishme për Ukrainën dhe ka sinjalizuar se Gjermania mund t’i dorëzojë Kievit raketat e fuqishme Taurus, pasi ka hequr kufizimet për rrezen e armëve që dërgon në frontin ukrainas.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Shpërthen kaosi në Gazë gjatë shpërndarjes së ndihmave

Read Next

Lidhja e Bizneseve kërkon pezullim një-vjeçar të vendimit të ZRRE-së