Raportimi në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë është mbajtur me dyer të mbyllura.
Kjo kërkesë ka ardhur nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, pasi do të diskutohet për zhvillimet e fundit në Veri.
Pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, gjykatësve dhe prokurorëve serbë, të mërkurën dorëheqjet e tyre kanë dorëzuar edhe zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore.
Me njoftimin se do të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme për zëvendësimin e kryetarëve të komunave dhe deputetëve serbë të cilët dhanë dorëheqje, kryetarët e komisioneve zgjedhore komunale në mënyrë të organizuar me qëllim të bojkotimit të këtij procesi kanë dhënë dorëheqje në mëngjesin e sotëm nga pozitat e tyre.
Një gjë të tillë ka konfirmuar për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online, zyrtari i lartë i KKZ-së për Mitrovicën e Veriut, Slobodan Dimitrijeviç.
Në anën tjetër të martën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka pranuar kërkesën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për emrat e personave në radhë për të zëvendësuar vendet e lira nga dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe.
Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Në anën tjetër zyrtarë të Policisë së Kosovës, pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga të gjitha institucionet kanë larguar nga trupi i tyre uniformat e Policisë së Kosovës. /Albanianpost.com