Dorëheqja e Lindita Nikollës, cilësohet “surprizë”

Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore.

Me këtë fjali, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla njoftoi dorëheqjen nga detyra e saj.

Dhe, për këtë arsye ajo drejtoi dhe një lutje: Të mos përdorej politikisht dorëheqja e saj – e cila ka vetëm arsye shëndetësore.

Duke pasur parasysh se në Shqipëri, kryetari i Kuvendit është një nga pozicionet më të larta të shtetit dhe ka një rol të rëndësishëm në funksionimin e organit legjislativ, ndiqen dhe një sërë procedurash dhe pasojash ligjore pas dorëheqjes.

Për këtë sipas rregullores së Kuvendit dhe praktikave të vendosura për të siguruar vazhdimësinë e funksionimit të organeve shtetërore procedurat fillojnë me dorëheqjen me shkrim, e cila më pas i dërgohet Kuvendit. Kjo duhet të bëhet sipas rregullave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.

Kuvendi duhet të mblidhet dhe të votojë për pranimin e dorëheqjes. Kjo është një procedurë formale, por në përgjithësi dorëheqja pranohet.

Pas pranimit të dorëheqjes, Kuvendi duhet të zgjedhë një kryetar të ri. Procesi i zgjedhjes përfshin paraqitjen e kandidaturave dhe më pas votimin nga deputetët e Kuvendit. Kandidati duhet të fitojë shumicën e votave për t’u zgjedhur.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, nënkryetarja Kuvendit mund të marrë përkohësisht detyrat e kryetarit. Në këtë rast është Ermonela Felaj.

Dorëheqja e Nikollës u prit me duartrokitje në sallë, dhe përqafime nga kolegët e mazhorancës socialiste.

Kjo dorëheqje përbën një moment të rëndësishëm në skenën politike shqiptare, duke sjellë në vëmendje tensionet dhe ndarjet politike ekzistuese, ndërsa Kuvendi përgatitet për zgjedhjen e një drejtuesi të ri.

Dorëheqja e Lindita Nikollës nga posti i kryetares sa Kuvendit duket ka zënë në befasi edhe kolegët e saj socialistë. Burime për ABC News thanë se dorëheqja është konsideruar surprizë edhe në radhët e tyre, pasi nuk ka qenë e lajmëruar më parë. /abcnews.al/Albanianpost.com

Read Previous

Lajçakut zyrtarisht i vazhdohet mandati deri në janar të vitit 2025

Read Next

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës u ndriçua me emrat e policëve të rënë në kryerje të detyrës