Dokumentet sekrete: Sekretari i OKB, gjithë kohës në përgjim nga SHBA

SHBA ka përgjuar bisedat telefonike të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, me zyrtarë të tjerë të Kombeve të Bashkuara. 

Lajmi u tha nga “Washington Post” e cila vijon me publikimin e dokumenteve sekrete që kanë dalë në rrjet nga 20 vjeçari Alexei Teixeira.

Dokumentet sjellin një përmbledhje të bisedave të Guterres i cili e përcakton veten si “të indinjuar” nga ndalimi i një vizite në Etiopi dhe i frustruar me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky. 

Në një nga dosjet, Guterres përshkruhet si jo i kënaqur me mundësinë për të vizituar Kievin në mars, në prag të udhëtimeve të tij në Afrikë dhe më pas në Zvicër, Irak dhe Katar. 

Arsyet e mërzitjes së tij nuk shpjegohen, por një diplomat i OKB-së vuri në dukje se Guterres udhëton me fluturime të planifikuara dhe vizita në Ukrainë do të përfaqësonte një tjetër udhëtim të gjatë për 73-vjeçarin.

Rrjedhja në rrjetet sociale e dokumenteve sekrete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për luftën në Ukrainë, ishte tema kryesore e mediave botërore, duke detyruar autoritetet amerikane të hapin një hetim të gjerë për mënyrën sesi ato dolën.

Përmbajtja e tyre ishte tepër sensitive dhe zbuloi edhe njëherë aftësinë dhe shpërndarjen e rrjetit të spiunazhit të Amerikës në mbarë botën, duke treguar detaje se si SHBA vijon të infiltrojë agjentët e saj në vendet aleate.

Sipas Wall Street Journal, dokumentet, mes të tjerash, japin një pamje të qartë të kapacitetit ushtarak të shkatërruar të Kremlinit, si dhe në çfarë mase taktikat e spiunazhit të SHBA kanë depërtuar në makinën e luftës të Vladimir Putin madje dhe në rrethin e tij të ngushtë./a2news/

Read Previous

24 vjet nga beteja e Shkëmbit të Gradinës

Read Next

Evropa shënon ditën për të Drejtat e Pacientit