Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të substancave narkotike në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Sipas njoftimit, gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, zyrtarët doganorë ndaluan për kontroll fizik një autobus me udhëtarë, duke kontrolluar automjetin dhe bagazhet.
Gjatë intervistimit, njëri prej udhëtarëve, i pyetur nëse kishte ndonjë mall apo send për të deklaruar, nuk deklaroi asgjë.
“Megjithatë, gjatë kontrollit fizik të çantës së krahut të tij, zyrtarët doganorë zbuluan një qese plastike me një substancë të dyshuar narkotike. Pas peshimit, sasia rezultoi të ishte 2 kilogramë e 162 gramë marihuanë”, thuhet në njoftim.
Kontrolli i autobusit vazhdoi edhe përmes skanerit, por nuk u evidentuan parregullsi të tjera.
Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa personi dhe substanca e dyshuar janë proceduar te organet kompetente për veprime të mëtejshme ligjore.
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, thotë se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe trafikimit të substancave narkotike, si dhe në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës. /RTKlive