Deputeti i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar ditën e Çlirimit të Kosovës.
Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se 12 Qershori 1999 shënon fundin e luftës së drejtë kundër gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë dhe fillimin e realizimit të një ëndrre shekullore lirie.
Sipas tij, Çlirimi i Kosovës është përmbushja e një amaneti të trashëguar brez pas brezi, të mbrojtur me pushkë e me penë, nga patriotë që nuk u dorëzuan kurrë përballë padrejtësive historike dhe krimeve mizore.
Basha më tej shpreh mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, vendeve mike të Evropës, NATO-n dhe gjithë atyre që i dhanë fund padrejtësive dhe mizorive mbi popullin e Kosovës.
“Kjo ditë nuk do të ishte e mundur pa vizionin e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, pa heroizmin e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, bijave dhe bijëve të Kosovës dhe kombit mbarë, që kryen sakrificat më sublime për liri”. /Albanianpost.com