Elon Musk paralajmëroi këtë javë se “përfundimisht, e gjithë jeta në Tokë do të shkatërrohet nga Dielli” – tani shkencëtarët kanë zbuluar se kur mund të ndodhë kjo.
Studiuesit nga NASA dhe Universiteti Toho në Japoni përdorën superkompjuterë të avancuar për të parashikuar evolucionin afatgjatë të Diellit.
Llogaritjet e tyre sugjerojnë se jeta në Tokë do të bëhet e pamundur deri në vitin 1,000,002,021, pasi Dielli do bëhet më i nxehtë dhe më i ndritshëm, gjë që do të rrisë temperaturat globale dhe do të reduktojë gradualisht nivelet e oksigjenit.
Ata zbuluan gjithashtu se në rreth pesë miliardë vjet, Dielli do të hyjë në një fazë kur zgjerohet në mënyrë dramatike.
Ndërsa ky fund kozmik është ende larg, është një nga arsyet që Musk vazhdon të shtyjë për kolonizimin e Marsit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Dielli po zgjerohet gradualisht, dhe kështu ne në një moment duhet të jemi një qytetërim shumëplanetësh sepse Toka do të digjet”, tha miliarderi.
Bëhet e ditur se NASA ka paralajmëruar prej kohësh se, përfundimisht, Diellit do t’i mbarojë energjia, por vëren gjithashtu se Dielli është ende më pak se në gjysmë të jetës së tij dhe pritet të zgjasë edhe pesë miliardë vjet të tjerë.
Studiuesit krijuan simulime nga viti në vit për të parashikuar ndryshimet në përbërjen e klimës dhe gazit, sipas studimit të botuar në Nature Geoscience.
Ata kryen më shumë se 400,000 simulime për të parashikuar se kur do të përfundojë bota.
Dhe zbuluan se ndriçimi në rritje i Diellit do të nxisë këto ndryshime, duke e bërë klimën e Tokës të paqëndrueshme.
Studimi përcaktoi se humbja e oksigjenit do të çojë në një zhdukje masive në Tokë.
Si rezultat, organizmat që prodhojnë oksigjen do të zhduken dhe ky proces do të vazhdojë derisa të mbeten vetëm mikrobet anaerobe—organizmat që mund të mbijetojnë pa oksigjen. /Telegrafi/