Edon Zhegrova ka bërë paraqitjen e tij më të mirë në Ligue 1 që nga transferimi te skuadra e tij Lille.
Sulmuesi kosovar është futur në lojë në minutën e 82-të, pranë rezultatit 1-1 mes Lille dhe Lorient.
Zhegrova shënoi dy gola spektakolar në tre minutat e fundit të ndeshjes duke dhuruar një nga shfaqjet më të mira në karrierën e tij.
24-vjeçari ka marrë lëvdata të shumta pas paraqitjes fantastike ndaj Lorient, derisa sot faqja zyrtare e Ligue 1 në Twitter i ka kushtuar një shkrim të bukur.
“Super zëvendësimi nga diamanti kosovar”, ka shkruar faqja e Ligue 1, duke i bashkangjitur edhe videon e dy golave nga Zhegrova.
Prishtinasi pas ndeshjes ishte ftuar nga tifozët e Lille duke u ngjitur në tribunat e stadiumit për të festuar fitoren dhe golat.
Ishte një pamje e mrekullueshme, ku i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë duke thirrur dhe kënduar emrin e Zhegrovës.
Me dy golat e të dielës pasdite, Zhegrova shkon në kuotën e tre golave dhe katër asistimeve në elitën e futbollit francez. /Telegrafi/